Studentët vijojnë protestën dhe marshimin në Tiranë, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen përballë asaj që e cilësojnë si padrejtësi dhe se nuk e pranojnë më ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama.
Një studente e Mjekësisë u shpreh se dialogët e mëparshëm me kryeministrin nuk kanë sjellë ndryshimet e kërkuara, ndërsa përmendi si një nga rezultatet bursën prej 10 mijë lekësh, për të cilën tha se nuk jepet gjithmonë. Ajo akuzoi gjithashtu se studentët janë ndier të mashtruar dhe se, sipas saj, qeveria ka vepruar sipas vullnetit të saj.
Studentja u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke sjellë si shembull edhe problemet që, sipas saj, hasen në sistemin shëndetësor dhe vështirësitë e prindërve të saj, të cilët i përshkroi si invalidë dhe që, sipas saj, u janë hequr barnat e rimbursueshme.
“Do të vijojmë protestën tonë, kundër çdo padrejtësie. Nuk do të tërhiqemi. Nuk e pranojmë dialogun me të, pasi ai ka ftuar edhe herë të tjera për dialog. Dialogu me të nuk çoi në asnjë përfundim. E vetmja gjë ishte bursa 10 mijë lekë, dhe ajo nuk jepet gjithmonë. Ndaj ai ka përfituar gjithmonë dhe ne jo.
Ne studentët e Mjekësisë na kanë penguar që të ikim. Përsëri, kur shkuam të dialogonim, na e tha mjaft hapur: ‘Do të bëjmë siç duam ne’. Ne jemi të mashtruar nga Rama. Nuk kemi parë asnjë ndryshim. Ai ka bërë atë që ka dashur vetë.
Nëse jemi të bashkuar, do t’ia arrijmë dorëheqjes së tij. Ne jemi popull i lirë. Për të gjithë qytetarët bëj thirrje: dilni në protestë. E shoh në spitale se si bëhet padrejtësi. Vetë prindërit i kam invalidë dhe u janë hequr ilaçet e rimbursueshme, dhe ato duhet t’i blejnë me lekët e veta. Janë bërë padrejtësi. Çdo ditë shohim padrejtësi. Më mirë të bëjmë rezistencë çdo ditë deri në dorëheqje, sesa të na bëhet padrejtësi çdo ditë dhe të shtypemi.”, tha studentja.
