Ndonëse po rritet vazhdimisht, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Europës, që e zbatojnë një politikë të tillë.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara të Eurostat, në fillim të vitit 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj.

Kjo pagë është 17% më e ulët sesa ajo e Maqedonisë së Veriut, që është e dyta në Europë për nivelin më të ulët, me të dhënat për këtë shtet që janë të disponueshme për fundin e 2021-t. (shiko grafikun: Paga minimale bruto në Europë, 6 M I 2023)

Paga minimale në Shqipëri është tashmë 45% më e ulët sesa në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro në 2023-n.

Në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro.
Në krahasim me fillimin e vitit 2018, më i hershmi që Eurostat raporton të dhënat, diferenca mes pagës minimale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që e zbatojnë këtë praktikë, është thelluar ndjeshëm.

Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. (shiko grafikun: Ecuria e pagës minimale bruto në rajon).

Ndërsa në fillim të vitit 2023, paga minimale në Serbi është 192 euro më e lartë sesa në Shqipëri. Një punonjës në Mal të Zi merr minimalisht 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.

Mali i Zi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale dy vitet e fundi, nga 331 euro në fund të vitit 2021 në 532 euro aktualisht. Edhe në Serbi, paga minimale është 460 euro, nga 366 euro ishte në fund të 2021-t.

Të njëjtat diferenca janë edhe për pagat mesatare në rajon, sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.

Pritet rritje tjetër e pagës minimale në vend këtë vit
Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.

Më herët, kur në Kuvend diskutohej buxheti 2023, Kryeministri Rama ka deklaruar se paga minimale do të arrijë në 36 mijë lekë në 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa deri në fund të viti do të shkojë në 38 mijë lekë.

“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi asokohe kryeministri.

Paga minimale u rrit për herë të fundit më shtator të vitit të kaluar.

Paga minimale në Europë
Sipas Eurostat, Më 1 janar 2023, 22 nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së kishin një pagë minimale kombëtare duke përfshirë Qipron (që nga 1 janari 2023).

Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 399 euro në Bullgari në 2 387 euro në Luksemburg.

Ndër shtatë vendet kandidate dhe kandidate potenciale, pesë kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia) ndërsa nuk ka Bosnje-Hercegovina (nuk ka të dhëna për Kosovën).

Bazuar në nivelin e pagave të tyre minimale mujore bruto kombëtare të zbatueshme më 1 janar 2023, të shprehura në euro, Shtetet Anëtare të BE-së klasifikohen në tre grupe të ndryshme;

-Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Luksemburgu, Gjermania, Belgjika, Holanda, Irlanda dhe Franca. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 709 euro në Francë në 2 387 euro në Luksemburg.

-Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare më të lartë se 1 000 euro por më e ulët se 1 500 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Sllovenia dhe Spanja. Pagat e tyre minimale kombëtare ishin 1 167 euro në Spanjë dhe 1 203 euro në Slloveni.

– Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare nën 1000 euro në muaj. Në këtë grup bëjnë pjesë: Qiproja, Portugalia, Malta, Lituania, Greqia, Polonia, Estonia, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Letonia, Rumania, Hungaria dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 399 euro në Bullgari në 940 euro në Qipro.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare i përkasin grupit 3, me nivele të pagave minimale që variojnë nga 298 euro në Shqipëri në 532 euro në Mal të Zi, raporton Eurostat.

Paga Graf
Paga Graf
Paga Minimale
Paga Minimale

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb