Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur për nesër nga kryeministri Edi Rama, ku pritet të diskutohet skema e re e pagave për magjistratët.
Në përgjigjen drejtuar Kryeministrisë, Sadushi rikujton qëndrimin e mbajtur prej tij në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, duke argumentuar se diskutimi për pagat në këtë moment do të ishte i pavend, pasi ligji i ri është tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
“Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut”, thekson Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë shprehet se beson te dialogu ndërmjet pushteteve dhe se mbetet i hapur për të, por sipas tij, për sa kohë çështja është shtruar për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, “fjala i përket Gjykatës Kushtetuese”.
Sadushi argumenton se një tryezë me të njëjtin objekt, përpara se të shprehet Kushtetuesja, nuk do të sillte një përmbajtje të re në diskutim.
“Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta”, shprehet ai.
Megjithatë, kryetari i Gjykatës së Lartë sqaron se vendimi për të mos marrë pjesë në tryezën e 28 shtatorit nuk nënkupton mbylljen e dialogut institucional.
Sipas Sadushit, drejtësia ka nevojë për një tryezë më të gjerë, ku të diskutohen funksionimi dhe konsolidimi i sistemit, si dhe problematikat që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
“Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar. Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër”, përfundon Sadushi.
Tryeza e thirrur nga kryeministri Edi Rama pritet të zhvillohet më 28 shtator me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve. Ndërkohë, ligji i ri për pagat e magjistratëve është aktualisht nën kontrollin e Gjykatës Kushtetuese.
