Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar sot për mediat situatën lidhur me pagesat e papërfunduara ndaj kompanisë postare DHL, e cila asistoi në procesin e votimit nga diaspora gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

Celibashi theksoi se nuk ka asnjë refuzim për të kryer pagesat, por ato do të realizohen vetëm në përputhje me parashikimet kontraktuale. Ai sqaroi se KQZ i ka paraqitur kompanisë disa kërkesa teknike dhe procedurale për të përmbyllur zyrtarisht procesin e shërbimit dhe për të hapur rrugën për disbursimin e fondeve.

“Kemi pasur disa kërkesa ndaj kompanisë DHL, të cilat i kemi prezantuar zyrtarisht. Jam i sigurt që ato do të plotësohen, sepse janë në përputhje të plotë me kontratën,” deklaroi Celibashi.

Një nga kërkesat kryesore të KQZ-së është përfaqësimi zyrtar nga ana e DHL-së për të përfunduar komunikimin dhe për të hartuar një procesverbal përmbyllës, pa të cilin pagesa nuk mund të ekzekutohet.

“U kemi kërkuar një përfaqësues nga ana e tyre që të diskutojë dhe të komunikojë me KQZ për të përfunduar shërbimin. Pa pasur procesverbalin përkatës, nuk mund të bëjmë pagesën,” theksoi Celibashi.

Lidhur me kërkesën e DHL për kamatëvonesa, kreu i KQZ-së e cilësoi atë të pabazuar, duke theksuar se nuk ka mbështetje as në kontratë dhe as në parashikimet ligjore.

“Kërkesa për kamatëvonesa është komplet e pambështetur në përmbajtjen e kontratës dhe në parashikimet ligjore dhe kjo besoj është e qartë,” tha ai.

Celibashi konfirmoi se vlerësimi përfundimtar i performancës së kompanisë ende nuk është përmbyllur, dhe vetëm pas këtij hapi KQZ do të procedojë me pagesën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb