TIRANE- Reforma në drejtësi në vendin tonë do të fillojë me ngritjen e Byrosë Kombëtare të hetimit. Ngritja e institucioneve të posaçme për zbatimin e kësaj reforme, do të nisë fill pas dekretimit të ndryshimeve kushtetuese nga Presidenti Bujar Nishani.

Në shtator pritet të nisë procesi për zgjedhjen e organeve të reja të gjyqësorit, por Byroja Kombëtare e Hetimit ka nisur prej kohësh që të mbledhë CV për punonjësit e rinj. Kjo pasi procesi pritet të jetë gati në shtator, kur edhe do të kryhen hetimet e para.

SHBA do të ofrojnë buxhetin për Byronë Kombëtare të Hetimit, godina e së cilës do të jetë në një objekt të ushtrisë shqiptare në periferi të Tiranës, ndërkohë që në brendësi të saj po vendosen pajisje nga më modernet që do të përdoren për hetimin e zyrtarëve të korruptuar.

Siç mësohet në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit BKH nuk do të jetë asnjë person që ka punuar në organet policore gjatë diktaturës komuniste, që nuk ka qenë asnjë herë agjent apo rezident i shërbimit sekret shqiptar, por edhe të ndonjë shërbimi fqinj dhe duhet të ketë moshë nga 30-45 vjeç. Pjesa më e madhe e agjentëve të BKH-së do të jenë specialist IT dhe financierë, të cilët do të trajnohen në përdorimin e armëve të zjarrit, si dhe për metoda policimi.

Procesi i zbatimit të reformës në drejtësi do të intensifikohet në shtator. Gjykatat aktuale do të qëndrojnë deri sa ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Kështu, të parat institucione që do të nisin punën janë: Byroja Kombëtare e Hetimit apo siç emërtohet Njësia Speciale Anti-korrupsion, si dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: