Gazetari i njohur i CNN-it, Fareed Zakaria, e ka përballur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të kaluarën e vendit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duke përmendur në mënyrë të veçantë masakrën e Srebrenicës.

Në materialin hyrës të intervistës, CNN rikujton se Vuçiç ndodhet në pushtet prej më shumë se një dekade, ndërsa vëmendje i kushtohet edhe marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë dhe Kinën.

Në prezantimin e intervistës, Serbia përshkruhet si një vend me një të kaluar të lidhur me nacionalizmin e dhunshëm dhe me luftërat që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë.

Zakaria e nis bisedën duke i thënë Vuçiçit se, për një pjesë të madhe të opinionit në Perëndim, Serbia vazhdon të lidhet me luftërat e viteve ’90 në Ballkan.

“Shumica në botën perëndimore, kur mendojnë për Serbinë, mendojnë për luftërat në Ballkan, për atë që ndodhi në vende si Srebrenica, dhe ka shpresë se Serbia e ka lënë pas atë të kaluar”, i tha Zakaria presidentit serb.

Gjatë këtij momenti të intervistës, në materialin e CNN shfaqen edhe pamje të civilëve me duar të lidhura dhe të shtrirë në tokë, në një referencë vizuale ndaj krimeve të luftës gjatë konfliktit në Bosnje.

Srebrenica mbetet një prej ngjarjeve më të rënda të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në zonën e Srebrenicës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e kanë përcaktuar masakrën si gjenocid.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb