TIRANË
“BalkanWeb” e News24 zbardhin aktin normativ të paktës “Anti-KÇK” e miratuar dje nga qeveria dhe që synon sekuestrimin e pasurive të paligjshme.
Paketa u miratua dje, ndërsa ka hyrë në fuqi menjëherë si akt normativ. Sipas draftit, “Operacioni Forca e Ligjit” dhe Antiterrori janë strukturat për zbatimin e aktit normativ.
Paketa Anti-KÇK ka si qëllim goditjen e krimit të organizuar, gjurmimin e pasurive të krijuara nga krimi dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme të personave nën hetim ose të dënuar.
Sipas paketës, edhe policia ka të drejtë të marrë masën e sekuestros për një pasuri. Pasuria më pas i kalon shtetit por pas vendimit nga gjykata.
Ndërkohë në krye të paketës ‘Anti-KÇK’ do të jetë Komiteti i Koordinimit që kryesohet nga ministri i Brendshëm. Komiteti ka në përbërje edhe ministrin e Drejtësisë dhe Financave, Prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e SPAK, kreun e SHISH, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kreun e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ky akt normativ përcakton masat parandaluese me karakter të përkohshëm në kuadër të forcimit të luftës ndaj organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krime të rënda si dhe procedurat, kompetencat e kriteret për zbatimin e këtyre masave ndaj subjekteve të këtij akti normativ.
Qëllimi i këtij akti normativ është ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe përdorimit prej krimit të organizuar të pronave me origjinë të paligjshme.
Kërkesa për marrjen e masave parandaluese dhe kundërshtimi i masave të marra sipas përcaktimeve të këtij akti normativ shqyrtohen në shkallë të parë, nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
Ankimimi kundër vendimeve të gjykatës në lidhje me vendosjen e masave parandaluese sipas pikës 1, të këtij neni, shqyrtohet në Gjykatën e Apelit, në juridiksionin e së cilës janë çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
Prokuroria kompetente, në kuadër të masave të parashikuara në këtë akt normativ, është Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
Për personat e parashikuar në nenin 16, në rast se nga verifikimet paraprake të cilat çojnë në dyshimin e arsyeshëm bazuar në elemente të faktit rezulton se posedojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, pasuri, të drejta ose veprimtari ekonomike, tërësisht ose pjesërisht të pajustifikuara në raport me nivelin e të ardhurave ose fitimeve që rrjedhin nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, OFL-ja kërkon paraqitjen nga ana e subjekteve, brenda 48 orëve të deklarimit në formën e një autodeklarate në lidhje me:
a) burimet e ligjshme të sigurimit të pasurive;
b) shkakun e posedimit dhe përcaktimin e masës të së drejtës apo interesit të ligjshëm që gëzon mbi pasuritë, objekt shqyrtimi;
c) sqarimin e mënyrës së fitimit të pasurisë (në veçanti burimin e të ardhurave në rast shitblerjeje);
ç) përcaktimin nëse pasuria ka bashkëpronarë ose është në përdorim të të tretëve apo këta përfitojnë prej saj në një mënyrë tjetër;
d) të ardhurat e ligjshme vjetore;
dh) çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me kërkesë të OFL-së, i referon prokurorit, në mënyrë të arsyetuar, çështjen sipas pikës 1, si dhe i kërkon paraqitjen në gjykatë të kërkesës për marrjen e masës së sekuestros. Kërkesa e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duhet të përmbajë:
a) përcaktimin apo përshkrimin e çdo pasurie, objekt i kërkesës;
b) identifikimin e pronarit të dyshuar (pavarësisht vendndodhjes);
c) çdo akt apo provë tjetër, që lidhet me subjektin apo pasurinë, e dis-ponuar nga OFL-ja;
d) deklarimin e bërë nga subjekti sipas pikës 1ose, në mungesë të tij njoftimin për paraqitjen e deklarimit.
Brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, prokurori në mënyrë të arsyetuar:
a) Kthen kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kur diktohet e nevojshme nga rrethanat e ndjekjes penale, kur del e qartë se është ngatërruar personi ose nuk është një nga subjektet e parashikuara në nenin 16 të këtij akti normativ ose konstaton se pasuria mbi të cilën kërkohet të vendoset masa e sekuestros është pasuri me të dhëna të gabuara apo të justifikuara nga të ardhura vjetore të ligjshme.
b) Kërkon informacion të mëtejshëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, informacion që i vihet në dispozicion menjëherë. Mosdhënia e informacionit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,brenda afatit të caktuar sipas pikës 3, nuk pengon këtë të fundit të paraqesë në prokurori një kërkesë të re me të njëjtin objekt dhe subjekt;
c) I paraqet gjykatës kërkesën për vendosjen e masës së sekuestros, duke vënë në dijeni drejtuesin e organit të prokurorisë dheDrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Gjykata, në dhomë këshillimi, shprehet me vendim për vendosjen e masës së sekuestros brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës së prokurorit. Vendimi i gjykatës është i ekzekutueshëm menjëherë.
Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente të apelit brenda15 ditëve nga marrja dijeni apo njoftimi i vendimit. Paraqitja e ankimit nuk pezullon zbatimin e masës së sekuestros.
Gjykata shprehet me vendim për vleftësimin e masës së sekuestros brenda 15 ditëve nga paraqitja e ankimit. Nëse gjykata nuk shprehet brenda këtij afati, shqyrtimi i ankimit vazhdon ndërkohë që masa e sekuestros mbetet në fuqi.
