Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Dhomat e tregtisë në vend dhe Shoqatat e Biznesit kanë marrë në dorë draftin e paketës fiskale për vitin 2017, të hartuar nga Ministria e Financave. Përveç disa prej lehtësirave në ligjin e procedurave fiskale të bëra publike nga vetë ministri Arben Ahmetaj, në draftin e ri bien në sy ndryshimet e masave administrative me gjobë, në rastet kur bizneset konstatohen me shkelje ligjore.

Këto ndryshime vijnë pas shqetësimeve nga të gjithë përfaqësuesit e bizneseve vendase dhe të huaja por edhe FMN, për goditjen masive të bizneseve me gjoba gjatë fazës së parë të aksionit kundër informalitetit.

Kështu bizneset nuk do të gjobiten menjëherë në rast të mospajisjes me kasë fiskale dhe moslëshimit të kuponit tatimor. Në nenin 36 të ligjit të procedurave tatimore për mospajisjen me kasë fiskale, pas verifikimit të parë konstatohet vazhdon të mos ta instalojë atë, atëherë tatimet i bllokojnë aktivitetin për 15 ditë.

Ndërsa në rast se biznesi nuk lëshon kupon tatimor për çdo konstatim të kryer nga inspektorët përveç gjobës 50 000 (pesëdhjetë mijë), tatimpaguesit e regjistruar per TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit. Nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor, i bllokohet aktiviteti për një muaj dhe nëse vijon sërish përsëritja e këtij veprimi administrate tatimore e kallëzon penalisht.

Po kështu tatimet kanë lënë gjobën për mos afishim të listës së çmimeve të shitjes (neni 39) por në masë më të ulët se ligji i supergjobave i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse më parë kjo gjobë ishte 500 mijë lekë, tani është 50 mijë lekë. Një nga pikat ku ministria e Financave duket se nuk lëshon pe është ajo e shkeljeve të konstatuara për moslëshim të faturave tatimore.

Sipas nenit 37 ky veprim dënohet me gjobë të barabartë me 100% të vlerës së tatimit të padeklaruar. Në rast se kjo shkelje përsëritet përveçse do të paguaj të njëjtën gjobë, biznesi i vogël i përjashtuar nga TVSh- do të kalojë automatikisht në biznes me TVSh. Dhe nëse bizneset e përsërisin të njëjtën shkelje më shumë se dy herë atëherë administrate e kallëzon penalisht. Për mosdeklarim të punonjësve për bizneset e regjistruar si subjekte me TVSH dhe tatimit mbi fitimin, gjoba e parashikuar është 200 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që është aktualisht (neni 34). Për bizneset e tjera, gjoba është 50 mijë lekë, nga 50-250 mijë lekë, që është aktualisht.
Ndryshimi në këtë nen përcakton përjashtimin nga gjoba në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik te vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Por ligji nuk toleron bizneset të cilat fshehin pagën reale të punonjësve. Nëse konstatohet një shkelje e tillë dënimi do të arrijë në gjobë 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.

Në draftin e ri të hartuar nga dikasteri i financave janë parashikuar një seri lehtësirash të procedurave tatimore të propozuara nga vetë biznesi. Disa prej tyre përfshijnë varësinë e Komisionit të Apelimit Tatimor nga Ministria e Financave, rimbursimin automatik të TVSH-së, vetëkorrigjimi i bizneseve pa penalitet, si dhe heqja e referencës për ndërmarrjet e ndërtimit.

Por si i ka pritur sipërmarrja këto ndryshime ligjore?
“Tashmë me propozim të gjithë biznesit, Komisioni i Apelit do të jetë në Ministrinë e Financave. Dhe ka dhe veçori se do ketë edhe përfaqësues të biznesit në Komisionin e Apelimit, që nuk ka qenë vitet e tjera. Anëtarët e Komisionit të Apelit nuk do të kenë më trysninë e drejtuesve të tyre. Rimbursimi online i TVSH-së. Të gjitha kompanitë që nuk kanë risk do të rimbursohen në mënyrë online, në mënyrë të menjëhershme, jo një muaj siç ka qenë më përpara. Sistemi e bën në mënyrë automatike rimbursimin e TVSH-së. Eshtë një lajm shumë i mirë për sipërmarrjen private. Eshtë parashikuar dhe kontroll nga kompanitë audituese. Nuk do kontrollohen kompanitë që dëshirojnë të mos kontrollohen nga tatimet, do kontrollohen nga kompani të mëdha audituese. ”-deklaroi Luan Bregasi.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb