Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Paketimi i cigareve pritet të ndryshojë, duke iu përshtatur direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me qëllim reduktimin e duhanpirjes. Sipas kreut të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, janë një sërë masash që pritet të ndërmerren, ku ndër të tjera është parashikuar përfshirja e fotove konkrete të sëmundjeve që shkakton pirja e duhanit apo përdorimi vetëm i ngjyrave të errëta.

“Në kuadër në Ditës Botërore pa Duhan, është logoja e OBSH-së për këtë vit, që i vë në vëmendje qeverive të bëjnë dizenjimin e paketimit. Dizenjimi i paketimit ka parasysh që nuk do të jenë paketat me lloj-lloj ngjyrash, por do të jenë me ngjyra të errëta si dhe do të jenë me shprehjet që ‘Duhani dëmton shëndetin’, ‘Duhani shkakton kancer’, etj. Po ashtu në të gjithë sipërfaqen, paketat do të jenë me fotografi të sëmundjeve që shkakton duhanpirja. Këtu kemi parasysh një këmbë të gangrenizuar, një sy kanceroz, një zemër apo mushkëri të dëmtuara etj. Gjithashtu nuk do të ketë të shkruar asnjë emër firme. Do të jetë vetëm pulla e taksës që do të përcaktojë se kjo paketë është e ‘x’ firme. Në paketim do të shënohet dhe sasia e përmbajtjes së nikotinës”, u shpreh Deda për “Gazeta Shqiptare”.

Ndërkaq, për vendime më konkrete në lidhje me këto ndryshime ditën e sotme do të mblidhet komiteti ndërministror, ndërkohë që sipas kryeinspektorit të shëndetit nuk ka një afat në lidhje me zbatimin e këtyre ndryshimeve, pasi “OBSH-ja jep opsionet dhe janë qeveritë ato që përcaktojnë prioritetet”.

Paketimi
Ndërkaq, sipas Institutit të Shëndetit Publik, “paketimi gjenerik” nënkupton që të gjitha paketat e duhanit të duken njësoj, sepse edhe germat “font-i” do të jenë të detyrueshme të jenë të njëjtat për çdo lloj pakete.

“Paketimi i thjeshtë zvogëlon atraktivitetin e produkteve të duhanit, është një masë e rëndësishme për uljen e kërkesës dhe kufizon përdorimin e paketimit të duhanit si një formë e reklamimit të duhanit dhe promovimit, me mjete false, mashtruese, zhgënjyese ose që ka të ngjarë të krijojnë përshtypje të gabuara për karakteristikat e tij. Paketimi i thjeshte i produkteve të duhanit rrit efektivitetin e paralajmërimeve shëndetësore”, sqaroj-në specialistët e ISHP-së.

Gjithashtu, ata shtojnë se “paketimi i thjeshtë nuk promovon një produkt duhani me mjete false, mashtruese, zhgënjyese ose që ka të ngjarë të krijojnë përshtypje të gabuara për karakteristikat e tij, efektet shëndetësore, rreziqet apo dëmtimet, duke përfshirë çdo term, përshkrim, shenjë dalluese, shenjë figurative ose ndonjë shenjë tjetër, që në mënyrë direkte ose indirekte krijon një përshtypje false që një produkt i veçantë duhani është më pak i dëmshëm se prodhimet e tjera të duhanit”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: