Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka folur për situatën nga përmbytjet dhe vështirësitë pas rrëshqitjeve të dheut në Gjirokastër.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, Koçi tha se situata në Gjirokastër ka qenë dramatike dhe e dëshpëruar për banorët, pasi rrëshqitjet e dheut rrezikuan shembjen e një pallati.

“Është një situatë dramatike, e dëshpëruar për banorët. Duhen identifikuar për përgjegjësi në lidhje me lejen që është dhënë për ndërtimin e atij pallati. Pesha mbi atë kodër është shtuar shumë, ujërat po ashtu kanë bërë të vetën, dhe kanë bërë të mundur rrëshkitshmërinë e atij masivi. Jemi në kushte emergjence. Ndërkohë mendoj që duhet një studim për të gjithë atë kodër për të parë cilat mund të jenë ndërhyrjet e nevojshme për ndonjë rrezik të mëvonshëm,” tha Koçi.

Zv/ministri i Mbrojtjes gjithashtu tha se situata u paraqit më problematike në Fier e Vlorë, dhe se është bërë ndërhyrja me helikopterë e gomone për shpëtimin e njerëzve në nevojë.

“Pati përmbytje në disa zona të vendit, situata u paraqit më problematike në Fier e Vlorë. Rreth 200 trupa janë në terren për t’i shkuar në ndihmë familjeve në nevojë. Nga reshjet pati edhe dëmtime urash e rrugësh. Duhet të rishikohet buxheti për emergjencat.  Por kur bëhet fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish, është prioriteti numër 1. Pastaj për sigurimin e pronës e të tjera me radhë,” tha ai.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb