TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka risolli sot si fakt njoftimin e policisë për asgjësimin e mbi 4000 bimëve kanabis në Dibër për të kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama dje në parlament.

Paloka tha se është policia vetë që hedh poshtë gënjeshtrat e Ramës.
“Edi Rama deklaroi dje në parlament se nuk ka drogë në Dibër. I erdhi në ndihmë edhe Damiani që tha se klima në Dibër nuk është e mirë për drogë. Unë e sfidova dje publikisht, i thashë hajde të tregoj arat me drogë në gjithë fshatrat e Dibrës? Rama sërish e mohoi dhe nuk iu përgjigj sfidës. Por sot policia raporton në komunikatë zyrtare se në një aksion ka asgjesuar 4780 rrënjë kanabis në zonën e Balgjës e Selishtës në Dibër. Policia hedh poshtë kështu gënjeshtrat e Ramës”, tha sot Paloka.

Por sërish sipas tij ‘këto janë ndërhyrje estetike sa për show, pasi arat e parcelat me drogë të shefit të komisariatit Robert Aga nuk i prek njeri’.

“Ca bimë të shkulura nuk janë asgjë në krahasim me miliona rrënjë që kanë mbuluar Dibrën, e gjithe vendin. Drogë masive që rritet nën kujdesin e qeverisë, paratë e të cilës u përdoren për të blerë edhe votën me 11 shtator. Cfarë do të thotë tani Edi Rama që u krekos dje në parlament, e tha se ska drogë në Dibër?
Cfarë do thotë Rama kur zbulohet pistë avionësh për transport nga ajri të drogës, një kilometër e gjysëm e gjatë? Kush gënjen këtu? Cdo shqiptar e di se kanabisi ka pushtuar vendin. Cdo shqiptar e di se kanabisi është alternativa e vetme e Edi Ramës, është biznesi i tij kriminal që prodhon para të pisëta që përdoren për të blerë votat. Çdo shqipar e di se droga nuk është e ardhmja e vendit, e ardhmja e fëmijëve tanë. Ndaj ky rrënim duhet ndalur sa më shpejt”, tha Paloka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb