Zbardhet dinamika e plotë e aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve të mitur dhe plagosi një tjetër në Durrës. Në një video të siguruar nga News24, shihet momenti kur shoferi Nikoll Radaçi lëviz me shpejtësi të lartë në një zonë të banuar, në kundërshtim me deklarimet e tij. Ai kishte pretenduar çara oficerëve të policisë se kishte konsumuar vetëm një birrë dhe se po qarkullonte me rreth 30 km/h.

Pamjet filmike tregojnë një realitet tjetër, fuoristrada e drejtuar prej tij dyshohet se lëvizte me një shpejtësi mbi 70-80 km/h në rrugën ku ndodhi ngjarja e rëndë. Disa sekonda para përplasjes fatale, në vijat e bardha kalojnë disa këmbësorë. Për t’i shmangur, 52-vjeçari i bie borisë, por dyshohet se për shkak të gjendjes së dehur humb kontrollin e mjetit, del nga rruga dhe hipën mbi trotuar, duke përplasur për vdekje dy të miturit dhe duke plagosur një tjetër.

Edhe në këtë rast 52-vjeçari bie ndesh në deklarime pasi pretendonte se një mjet tjetër i kishte dalë nga një rrugicë aty pranë dhe devijoi për ta shmangur atë.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja, por u arrestua vetëm pak minuta më vonë nga policia. Ndërkohë, këtë të martë, Gjykata e Durrësit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për 3 vepra penale, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se 52-vjeçari është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022. Ndërkohë një ditë pas aksidentit kryepolici Skënder Hita pezulloi nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Ndërsa AMP nisi hetimet ndaj policisë së Durrësit, pas denoncimeve të banorëve të Lagjes 15 në zonën e ish-Kënetës, të cilët pretendojnë se nuk është reaguar ndaj ankesave të tyre se në atë zonë kalimi i mjeteve me shpejtësi të lartë përbente rrezik për ta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb