Omri Boehm, filozof izraelit, e nisi fjalimin e tij gjatë ceremonisë së marrjes së Çmimit të Madh të Panairit të Librit në Laipcig të Gjermanisë, me një lexim të Biblës mbi mosbindjen e Abrahamit, për të vijuar më pas me idetë se, në shoqëritë bashkëkohore, të vërtetat përfundimtare janë të domosdoshme për të mbrojtur dinjitetin dhe barazinë njerëzore.

Luftërat Izrael-Palestinë dhe Rusi-Ukrainë e kanë futur njerëzimin në një zonë që Hana Harendt-i e quante «Dark time» (Kohë të errëta). «Kush lexon ende?» ishte motoja e këtij panairi që ka ngritur siparin që më 1632-shin, e vijon të pasqyrojë idetë e mëdha mbi kulturën, në qytetin ku Gëtja zbuloi poezinë. «Edhe në errësirën më të errët, ne kemi të drejtë të kemi një farë ndriçimi», – do të shprehej Harendt në esenë e saj me të njëjtin titull, duke argumentuar se drita vjen gjithnjë.

Pyetja sfiduese e këtij panairi është një përgjigje që Gjermania u jep lëvizjeve të përbotshme, duke e vënë theksin te nevoja e gjetjes së një drite të brendshme te gjithsecili prej nesh, e që mund të vijë vetëm përmes librit. Boehm-i e lexon këtë pyetje përmes Kantit, me gjuhën e një filozofie bashkëkohore. Në librin e tij Universalizmi absolut, ai këmbëngul se parimet e përbotshme humaniste mund të ndihmojnë në zgjidhjen e luftës ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Ai nuk tërhiqet për të përkrahur arsyet themelore metafizike për universalizmin, duke i gjetur ato në kryqëzimin e filozofisë së Kantit me trashëgiminë e profetëve të Biblës. Është mbrojtës i flaktë i vlerave kryesore të universalizmit humanist me detyrimin për të pranuar barazinë e të gjitha qenieve njerëzore pa relativizuar asnjërën prej tyre.

Boehm-i i kundërvihet me vendosmëri ngurtësimit të tanishëm ndërsa në përkufizimin e ndriçimit të Kantit e pranon si dalja e njeriut nga papjekuria vullnetare si themeli për shqyrtimin kritik të liberalizmit perëndimor dhe prirjet e tij për të menduar sa u përket identiteteve që më pas bëhen absolute. Filozofia na ndihmon të lexojmë për luftërat, tha ai, duke kujtuar mes qindra të ftuarve në ceremoninë e çeljes së Panairit, miqësinë e dy filozofëve Lessing dhe Moses Mendelssohn, e cila pati një ndikim në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Gjermanisë.

Duhet të thellojmë miqësinë, kumtimin si e vërteta e vetme që do të arrijë ta shpëtojë botën, u shpreh ai në një formë tjetër nga ajo që Kanti thotë mbi «lirinë e miqësisë». Idetë e Boehm-it mbi mbarështimin e artit të miqësisë, do të ndiheshin menjëherë sapo në skenën u ngjit kancelari gjerman Olaf Sholc (Scholz), i cili u ndërpre disa herë nga protestuesit. Veprimtarët e shpërndarë në sallën e madhe treguan se bota nuk është e qetë. «Fuqia e fjalëve na bashkon të gjithëve këtu në Lajpcig – jo duke bërtitur, — tha thjesht i qetë Sholci. — Që kur isha fëmijë në mbrëmje para se të flija gjumë, e tani si politikan i ri në trenin mes Hamburgut dhe Bonit, apo tani, sa herë që ma lejon koha – librat më kanë shoqëruar gjatë jetës sime për sa më kujtohet», — u shpreh ai, duke e quajtur leximin një provë të përditshme, që na ndihmon të kuptojmë më së miri njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve tona, dhe se shoqëritë tona, në Gjermani dhe në Evropë, nuk duhet të ndahen.

Stenda e Ukrainës në Halle (Pavijonin) 4, shumë pranë hapësirave të botuesve të Europës Lindore, mes të cilëve dhe stenda shqiptare, tregonte se libri, në këto kohë, nuk është thjesht ide, por nevojë. Më shumë se një stendë takimesh mbi letërsinë, hapësira e Ukrainës ishte një hapësirë gjeopolitike. Presidenti gjerman Frank Valter Shtajnmajer Frank Walter Steinmeier ishte i pranishëm në një nga veprimtaritë mbi letërsinë ukrainase, duke treguar se ky nuk është thjesht një panair, por, përkundrazi, një vend idesh. Shqipëria kishte stendën e saj në hapësirën e rrjetit Traduki ku bëjmë pjesë prej më shumë se një dhjetëvjeçari, një rrjet që ka pasur ndikim në mbështetjen dhe në përhapjen e letërsisë bashkëkohore shqiptare në botën gjermanishtfolëse.

Një katalog në gjermanisht me pjesë të zgjedhura nga autorë të rinj shqiptar, do të tërhiqte vëmendjen në leximet që Suzana Finger u bëri në gjermanisht në sallën qendrore të Panairit. Dionis Prifti, Brajan Sukaj, Flogerta Krypi, Suad Arilla, ndanë ide mbi letërsinë dhe mbi shkrimin në kontekste më të gjera, si përfaqësues të një gjuhe e cila i ka rrënjët pikërisht në truallin europian. Idetë kantiane mbi miqësinë, shprehen në një formë tjetër nga shkrimtarët e rinj shqiptar, si idetë e gjithësishme të çdo kohe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb