Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e presidentit rus, Vladimir Putin.

Wallace tha se forcat ruse, që janë angazhuar në pushtimin e Ukrainës, janë “rraskapitur” tashmë nga rezistenca e forcave lokale.

Ai tha se ushtria ruse po përballet me probleme logjistike dhe ka pësuar mijëra humbje në 13 ditët e para të pushtimit.

Wallace shtoi se është “detyrë e pamundur” të pushtosh një vend me 44 milionë banorë, që është më i madh se Franca dhe Gjermania së bashku.

“Ky do të jetë fundi i Putinit dhe kështu duhet të jetë”, tha Wallace për BBC-në.

Sipas tij, Putin është tashmë “një forcë e shpenzuar” në botën e gjerë, sepse komuniteti ndërkombëtar ka konstatuar se pushtimi i Ukrainës dhe katastrofa humanitare që ai ka shkaktuar, “janë të papranueshme”.

Sanksionet ndërkombëtare, të vendosura ndaj Rusisë, “po e zvogëlojnë ekonominë e tij në zero” dhe Putin “është përgjegjës për këtë”, tha Wallace.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb