PRISHTINË-Angazhim gjithëpërfshirës për të përmbushur, objektivin 4 të Rezolutës për Parimet e Prishtinës, për sigurimin e pjesëmarrjes së gruas në shërbimin në kuotën deri në pesëdhjetë për qind, u kërkua sot në Deklaratën e seancës së përbashkët të deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i zi dhe Presheva.

Me rastin e 8 Marsit-Ditës së Grave, sot në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, u mbajt seancë e përbashkët e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i Zi dhe Presheva.

“Është nder të hapi dhe të udhëheq këtë seancë”, tha deputetja nga Shqipëria Arta Dade.

Ajo theksoi se femrat nuk janë vetëm simbol, ato janë protagoniste të emancipimit dhe zhvillimit në sektorin ekonomik e financiar, në politikë, në kulturë, në akademi; janë kryesuese të delegacioneve,kryetare të bashkive e pjesëmarrëse në institucioneve të tjera.

“Përpiqemi për më shumë vende pune, në luftën kundër korrupsionit;angazhohemi për arsimim superior të femrës”, u shpreh Dade. Ajo tha se pa kontributin e grave  Shqipëria dhe Kosova nuk do të ishin aty ku janë sot.

“Pa kontributin e grave Shqipëria nuk do ishte anëtare e NATO-s e as vend kandidat i Bashkimit Evropian, as Kosova nuk do të ishte e pavarur e njohur nga 108 shtete”, tha deputetja shqiptare Arta Dade.

Ajo foli edhe për nevojën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Deputetja kosovare Teuta Sahatqija, e cila në legjislacionin e kaluar ishte kryetare e Grupit të Deputeteve të Kuvendit të Kosovës, pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi se Kuvendi i Kosovës, në këtë rast, u bë Kuvend i grave nga të gjitha trojet, Kuvend ku nuk ka dallime gjeografike, partiake, profesionale, përkundrazi ka bashkime, bashkim të ideve, të aspiratave, bashkim të punës së bashkërenditur për fuqizimin e gruas.

“Solidarizohemi me gratë që luftojnë për të pasur hisen e tyre nën këtë diell. Tetë Marsi është ditë kur pa marrë parasysh përkatësinë gjeografike, partiake, kombëtare, bëhemi bashkë në të vetmen axhendë – të fuqizimit të gruas”, tha ajo.

Duke përmendur disa nga të arriturat në fushën e legjislacionit ajo përmendi faktin se Kosova tashmë ka Ligjin për barazinë gjinore, Ligjin kundër diskriminimit dhe Ligjin zgjedhor. Në këtë mënyrë krijohen mundësitë e përfshirjes së gruas në politikë dhe përfaqësimin e saj në Kuvendin e Kosovës dhe në kuvendet komunale, mirëpo kur është fjala për postet udhëheqëse gruaja përballet me tavanin e qelqtë.

Në vijim ajo foli për përfaqësimin e grave në institucione e vendit, duke theksuar se Kosova udhëhiqet nga presidentja, ka një kryetar komune, nga 22 ministri vetëm dy udhëhiqen nga gratë, nga 14 kryetarë të komisioneve parlamentare, 4 janë gra, tre gra udhëheqin grupet parlamentare, ndërsa në Kryesine ë Kuvendit gra nënkryetare ka pasur nga komunitetet tjera , por jo nga partitë shqiptare.

Duke marrë pjesë në diskutim Mesila Doda , deputete dhe kryetare e AGD-ës, theksoi se takimet e grave deputete po shndërrohen në traditë, duke bërë aleancën e grupeve të grave. Ajo tha se nga gratë janë ndërmarrë iniciativa që në Shqipëri të ndryshohet Kodi Zgjedhor, pastaj që 40 për qind e këshillave bashkiake të jenë femra, ndërsa shtoi se gratë nuk janë kukulla ato duhet të bëhen bartëse të proceseve të gjithmbarshme.

“Por ajo çka është më e rëndësishmja, ajo çka gratë shqiptare po i mësojnë burrat dhe pjesën tjetër të kombit është se gratë janë bashkim, janë tejkalim i pengesave dhe vështirësive, gratë mësojnë kombin të përparojë dhe të gjejë sfidat e përbashkëta për t’ u afruar dhe zhvilluar”, theksoi deputetja shqiptare Mesila Doda.

Ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha se nëse grave iu hapen dyert, atëherë ato do të dëshmojnë se shoqëria nuk është e mirë nëse krijon barriera.

“Barazia në mes gjinive është e natyrshme, sepse femrat kanë dëshmuar edhe në rrugën e pavarësisë së Kosovës, se ishin shtyllë e rëndësishme, por kjo u dëshmua edhe në angazhimin e femrave në procesin e demokratizimit në Shqipëri, pastaj angazhimet në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës”, tha Tahiri.

Ajo tha se në Qeverinë e Kosovës nuk ka përfaqësim të duhur në të grave dhe u angazhua për më shumë gra në pozita vendimmarrëse.

Deputetja shqiptare Monika Kryemadhi mes emocionesh tregoi për rrethanat e favorshme që janë krijuar në relacionet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Avancimin e pozitës së gruas ajo e sheh si krijim të ambientit që mundëson realizimin e të drejtave të gruas, e jo si fushëbetejë.

“Unë për herë të parë festoj jashtë Shqipërisë 8 marsin dhe nuk mendoja se do vija në Prishtinë pasi për ne dikur Prishtina ishte vendi më i largët. Ne kemi vetëm kufij konfidencial. Mua më pëlqen familja dhe të qenit tradicionale. Nuk më pëlqen të them që ne duhet të jemi lidere, sepse ne kemi ndonjëherë nevojë që burrat të luftojnë për gratë. I kemi kuotat por megjithatë nuk është problemi tek numrat por tek forca. Gruaja duhet të jetë e fortë. Misioni ynë është që sot t’u krijojmë grave dhe vajzave mundësinë për më shumë pjesëmarrje në politikë. Më pëlqejnë gratë politikane të Kosovës sepse kur një deputete grua ofendohet ato largohen të gjitha, ne nuk jemi ende në këtë pozitë por jemi në rrugë të mbarë”, theksoi, mes tjerash, deputetja  Kryemadhi.

Në diskutimin e saj Albiona Ibrahimi foli për vështirësitë, në të cilat hasin të rinjtë nga Lugina e Preshevës në shkollim, sidomos kur është fjala për arsimimin superior, duke kërkuar që mos të ketë limite të regjistrimit të studentëve nga Lugina e Preshevës në universitetet e Kosovës. Në vijim ajo foli për çështjen e mosfunksionimit të qendrës së maternitetit në Preshevë, me gjithë faktin se janë dhënë kontribute nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë. “Mosfunksionimin e kësaj qendre po e pengon Serbia. Në këtë situatë lindjet e grave shqiptare bëhen në Vranjë, ku pos vështirësive të tjera, certifikatat e lindjes lëshohen në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik, që po iu nxjerr qytetarëve shumë problem”, tha Ibrahimi.

Vazhdimin e dytë të seancës së grave e udhëhoqi deputetja kosovare Flora Brovina, e cila në fillim thekoi se gratë nuk ngurrojnë të marrin përgjegjësinë për sfidat e zhvillimit të gjithmbarshëm. Në vijim ajo shtroi nevojën e luftimit të dhunës ndaj grave, përfshirjen e saj në proceset zhvillimore, në punën menaxhuese, pozita udhëheqëse etj.

Deputetja kosovare Alma Lama tha se Ditën Ndërkombëtare të Gruas dalëngadalë po e kthejmë në një ditë kombëtare të gruas shqiptare. “Në këtë kuadër gratë dhe vajzat shqiptare ngrenë zërin e përbashkët për më shumë barazi dhe dinjitet”, u shpreh ajo.

Deputetja kosovare Donika Kadaj Bujupi tha se, “dita e sotme thërret, që përtej simbolikës që ka ky takim i jashtëzakonshëm, beteja jonë të bëhet për ato mijëra gra, të cilat me fëmijë në krahë morën rrugët e migrimit ilegal, u bënë pre e trafikantëve dhe kontrabandistëve, sepse në shtetin e tyre mungoi mirëqenia, mungoi një vend pune edhe kur ajo ka diplomë”.

Safete Hadërxhonaj, deputete kosovare, tha se gruaja në Kosovën e pasluftës tregoi forcën e mbijetesës. “Shumë gra që përjetuan tragjedinë e luftës gjetën forcën të mbajnë familjet, krijuan biznese të vogla familjare, u organizuan në OJQ, që bashkërisht të përballen me vështirësitë e ekzistencës”, tha ajo.

Pjesëmarrëset e seancës me një minutë heshtje nderuan gratë e rëna gjatë luftës.

Në përfundim të debatit pjesëmarrëset miratuan këtë Deklaratë:

“Ne, gratë deputete nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe asambleistet shqiptare nga Mali i Zi, Presheva dhe Bujanoci, duke qenë të përkushtuara që në trojet tona të sigurohet respektimi i të drejtave të njeriut, si dhe ngritja në nivel më të lartë të demokracisë, deklarojmë:

-Angazhim gjithëpërfshirës për të përmbushur, objektivin 4 të Rezolutës për Parimet e Prishtinës, për sigurimin e pjesëmarrjes së gruas në shërbimin në kuotën deri në pesëdhjetë për qind. Parimet e kësaj Rezolutë të zbatohet në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, në sistemin gjyqësor, në atë edukativ, në bordet e ndërmarrjeve publike, dhe institucionet tjera të pavarura

-Përkushtimin tonë për jetësimin e instrumenteve ndërkombëtare për barazinë gjinore, duke i dhënë gruas rol më të fuqishëm në të gjithë sektorët e shoqërisë. Ne angazhohemi për hartimin e politikave dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve për t’u përgjigjur kërkesave të 8 objektivave të mijëvjeçarit.

-Për përkrahje arsimimit të gruas si dhe ngritjen profesionale dhe intelektuale të sajë. Në këtë drejtim të krijohen mundësit për shkëmbim të kuadrove. Për luftë të pa kompromis kundër dhunës ndaj gruas, trafikimit të qenieve njerëzore dhe dukurive që dëmtojnë integritetin dhe dinjitetin e gruas.

-Angazhim të fuqishëm të grave në vendimmarrje me qëllim që pabarazia gjinore të sanksionohet me ligj. Rol më të madh të gruas në udhëheqje me proceset e integrimit euroatlantik.

-Për promovimin e të drejtave të gruas dhe sensibilizimin e grave dhe burrave për arritjen e barazisë gjinore

-Iu bëjmë thirrje organizatave ndërkombëtare OKB-ës, Komisionit Evropian që të shtojnë presionin diplomatik mbi Serbinë, me qëllim të identifikimit dhe dënimit të kryesve të dhunimeve që kanë ndodhur nga forcat militare dhe paramilitare serbe gjatë kohës së luftës.

-Po ashtu ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë që të ushtrojnë ndikimin e tyre tek Qeveria e Serbisë dhe në institucionet e BE-së në Bruksel, që të hapet dhe të funksionalizohet materniteti në Komunën e Preshevës, si dhe të respektohen të drejtat e grave shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si e drejtë themelore e të drejtave të njeriut”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: