Parlamenti i Danimarkës e ka hedhur poshtë të martën një projektligj për njohjen e shtetit palestinez. Paraprakisht, ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, kishte thënë se mungojnë parakushtet e nevojshme për njohjen e pavarësisë së Palestinës.

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia e njohën zyrtarisht shtetin palestinez të martën, një javë pasi njoftuan se do ta bënin një gjë të tillë.

Vendimi i tyre e ka zemëruar Izraelin, i cili e quajti atë “shpërblim për terrorizmin” dhe i tërhoqi ambasadorët e vet nga këto vende.

Projektligji për njohjen e Palestinës nga Danimarka u propozua në fund të shkurtit nga katër parti të majta.

“Ne nuk mund ta njohim një shtet të pavarur palestinez, dhe arsyeja e vetme është se nuk ka parakushte për këtë”, kishte thënë Lars Lokke Rasmussen gjatë debatit të parë për këtë projektligj në Parlament në prill.

“Ne nuk mund ta mbështesim këtë, por urojmë që të vijë dita kur do të mund ta bëjmë”, tha Rasmussen, i cili nuk ishte i pranishëm në Parlamenti gjatë votimit më 28 maj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: