TIRANË

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta foli sot për seancën kaotike dhe debatet e forta në parlament që sërish sollën përjashtime.

Meta deklaroi në emisionin “Frontline” në News24 se është dakord me Berishën që parlamenti nuk duhet lëshuar, ashtu si asnjë institucion dhe se nuk duhet bërë jeta e lehtë një sekti që nuk njeh kushtetutë, nuk njeh rregullore të parlamentit, nuk njeh asnjë parim të demokracisë.

Sipas tij, fakti që Rama nuk ka folur për çështjen McGonigal, tregon qartë se kush është.

“Jam dakord me z. Berisha që kurrë nuk duhet lëshuar parlamenti dhe asnjë institucion. Është parlamenti i qytetarët shqiptarë duhet kërkuar llogari në emër të tyre. Nuk duhet bërë jeta e lehtë një sekti që nuk njeh kushtetutë, nuk njeh rregullore të parlamentit, nuk njeh asnjë parim të demokracisë. Si mund të ndodhë që qeveria t’i shmanget llogaridhënies.
Ai duhet të ishte atje që herën e parë që kërkoi opozita, në qoftë se do ishte një njeri që nuk ka lidhje. Në qoftë se ti pretendon që je një njeri që ke respektuar ligjin, etikën, pa asnjë diskutim përballohesh me këdo. Fakti që u fsheh tregon qartë se kush është Edi Rama.
Marrim një rast tjetër, doli Sali Berisha dhe PD, ka bërë kaq udhëtime me charter, doli ky tha këto janë përralla, broçkulla, se një udhëtim i imi kushton 600 mijë lekë të vjetra.
U bë kërkesa sipas kushtetutës për ngritjen e një komisioni hetimor, tha jo se ka firmosur Berisha. Berisha është deputet”, tha Meta.

Ai theksoi më tej se non-gratës i doli boja përfundimisht sa i takon Edi Ramës.

“I vetmi person që nuk mund të përmendë non-gratën është Edi Rama dhe i gjithë tabori i tij.
Nuk ka dyshime që i vetmi person në Republikën e Shqipërisë që s’mund të flasë më për çështjen e non-gratave ngaqë ka folur kaq shumë deri tani dhe ka dëmtuar kaq shumë njerëz në Republikën e Shqipërisë, është Edi Rama”, tha Kreu i PL.

Sa i përket qëndrimit të kësaj force për zhvillimet në parlament, ai tha se janë në unison me PD.

“Sot kam lexuar një shkrim të një prej socialistëve më idealistë që kam njohur në jetën time që nga viti 1992, të Jorgji Kotes. Jorgji Kote, pyet po deshe, ishte një nga intelektualët, nga përkthyesit më të mirë të kohës së vetë dhe më mbrapa, një diplomat i shkëlqyer, një erudit që i qëndroi PS-së dhe në ditët më të vështira. Sot në shkrim thoshte non-grata, karta e komprometuar e Ramës për çqeverisje. Kur abuzon me një gjë, spekulon me një gjë dhe këtë gjë e ke krijuar si mekanizëm shantazhi për t’iu mbyllur gojën atyre që ti të vjedhësh pa kufi.
Drejtësia amerikane ka punën e saj dhe po e bën. Nuk heton vetëm për Shqipërinë, padyshim që heton për Shqipërinë sepse ka dalë si një vend që ka infiltruar kapitalet ruse, por heton dhe më gjerë për çështje të tjera, dhe për çështjen në fjalë.
Puna jonë është tjetër gjë. Drejtësia amerikane ka kërkuar që të gjitha komunikimet…se nuk është vetëm ai, kemi dhe Rossinin, i cili ditën e djegies së mandateve nga opozita ka dalë në media shqiptare dhe ka thënë Berisha është njeriu i Putinit. Këta të gjithë punonin me oligarkët e Putinit dhe merreshin me Berishën. Ç’punë kishin këta me këtë gjë. Sepse këtë gjë e manipulonte dhe orkestronte vetëm një njeri Edi Rama.
Ne jemi në unison të plotë me PD-në dhe opozitën. Kemi Kushtetutën tonë, rregulloren tonë. Komisioni hetimor duhet të ishte ngritur, interpelanca duhet të ishte bërë”, tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë bëri dhe një koment për qëndrimin e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla ndaj opozitës në parlament. Ai tha se Kryetarja e Kuvendit në këtë rast, për hir të integritetit të Kuvendit duhet të kishte mbajtur të paktën një qëndrim publik. Meta foli dhe për rikthimin në Kuvend.

“Dy vjet e gjysmë një parlament i paligjshëm, deputetë nuk ishin ata, më mbante mua në hetim. Më thërret njëherë kreu i komisionit hetimor, z. Manja dhe më thonë të gjithë këshilltarët nuk duhet të shkosh, sepse komisioni është i paligjshm, kjo është kështu, kjo ashtu. I thashë po këto të paligjshëm janë, ai kuvend duam s’duam është aty, ata më kanë thirrur, por si do i shmangem Kuvendit? Ata më kanë thirrur për arsye politike. Unë isha President, Presidenti dhe mund t’i shmanget, aq më tepër në ato rrethana.
Do iki do ua them atje në sy, ama qytetarët të mos mendojnë kurrë se ky nuk vajti se nuk donte të ballafaqohej. Përderisa ke mbrojtur kushtetutën, ti e ke detyrim edhe moralisht, përveçse ligjërisht, proceduralisht, jo për respekt as të atij që të ka thirrur, por për respekt të qytetarëve që besojnë te demokracia”.

“Do të rikthehem unë, këtë punë kam, në 30 vitet e ardhshme këtë punë kam. Kam qenë 4 vite kryetar i parlamentit. Më thoni një herë që i kam hequr fjalën opozitës, një herë? Parlamenti pikërisht është aty që të flasin e të dëgjohen të tërë, edhe qeveria edhe opozita, akoma më shumë opozita. Unë për Linditën kam pasur gjithmonë respekt, po ajo duhet ta tregojë që është kryetare e parlamentit.
Duke qenë ajo kryetare e parlamentit Taulant Balla në seancën e fundit të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit, paraqiti në emër të Kuvendit, të administratës së saj, paraqiti një shkresë tjetër të z.Ruçi dhe më pas një shkresë tjetër të manipuluar”.

“Kryetarja e Kuvendit në këtë rast mendoj unë, për hir të integritetit të Kuvendit duhet të kishte mbajtur të paktën një qëndrim publik.
Në qoftë se ti nuk i jep të drejtën e fjalës, në qoftë se i pezullon 4 deputetë që janë shembull, Tritan Shehu, Agron Shehaj, Belind Këlliçi apo Oerd Bylykbashi që mund ta kritikosh pse është aq i përmbajtur dhe ti si kryetare e parlamentit bën akte të tilla, në emër të kujt i bën këto?”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb