Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi për shkarkimin e dy ministrave të Aleancës për Shqiptarët, pasi drejtuesi i partisë, Arben Taravari njoftoi se do të kalonte në opozitë. Me 62 vota pro të ligjvënësve u shkarkuan Fatmir Mexhiti nga posti i Ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Ata dy ishin rreshtuar pas zotit Taravari në përplasjet që kanë përfshirë eksponentë më të lartë të partisë, që ka rezultuar në krijimin e dy krahëve: njëri me ish-kreun e partisë Ziadin Sela që kundërshton bashkimin me opozitën dhe tjetri me kreun aktual Arben Taravari për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë.

Dy ministrat e shkarkuar mbrëmë në mesnatë dhe një ligjvënës që i mbeten besnik zotit Taravari akuzuan Bashkimin Demokratik për Integrim për përçarjet brenda partisë Aleanca për Shqiptarët, duke thënë se kanë instaluar “BDI-stë brenda qarqeve të partisë së tyre”.

Përplasjet në ASH kanë bërë që shumica parlamentare të bëhet edhe më e brishtë se sa që ishte, por duket se me mbështetjen e dy-tre ligjvënësve të pavarur qeveria teknike e udhëhequr nga kryeministri Talat Xhaferi mund të realizojë kompetencat që i ka. Shumica e nismave dhe e ligjeve kërkojnë 61 vota për t’u miratuar në parlamentin prej 120 vendesh.

Kryeministri i qeverisë teknike, Talat Xhaferi duke shpjeguar detyrimet ligjore sa i takon shkarkimit apo zëvendësimit të ministrave të një subjekti politik në qeveri, tha se në bazë të Nenit 94 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut ka kompetenca kushtetuese që para Kuvendit të parashtrojë propozimin për shkarkim të anëtarit/ëve të qeverisë për çka vendos Kuvendi.

“Që në fillim dua të theksoj se propozimi për shkarkimin e ministrave nuk ka të bëjë me aspektin profesional të përgatitjeve të tyre. Unë kam respekt të veçantë duke pasur parasysh se i kam dhe bashkëvendas (nga Gostivari) dhe në vazhdimësi i kam përcjellë dhe e njoh përgatitjen e tyre profesionale. Forca e ligjit thotë se nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të qeverisë; dhe kjo është arsyeja bazë për të cilën propozimi (për shkarkimin) ndodhet para jush”, tha zoti Xhaferi në hapjen e seancës lidhur me shkarkimin e dy anëtarëve të kabinetit të tij.

Krahu i Ziadin Selës ka propozuar për ministër të ri të shëndetësisë Ilir Demirin, mjek – infektolog dhe drejtor aktual i Spitalit të Tetovës dhe për ministër të Shoqërisë Informatike, Naim Bajramin, ish-zëdhënës i partisë. Parlamenti do të mblidhet të hënën për t’i miratuar ata.

Krahu i zotit Sela ka thirrur për të shtunën Kuvendin e Aleancës për Shqiptarët për të marrë vendime të tjera, ndërkohë që krahu i zotit Taravari mbajti në Kumanovë para dy ditësh një takim me përkrahës dhe anëtarë të Kuvendit të partisë për të zyrtarizuar vendimin për bashkimin me opozitën shqiptare në zgjedhjet e majit. Kundërshtarët brenda partisë e quajnë jolegjitim këtë vendim.

Përplasjet në Aleancën për Shqiptarët filluan pas një takimi në Prishtinë të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku mori pjesë edhe zoti Taravari, partia e të cilit vazhdon të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Shkup. Pak ditë pas këtij takimi zoti Taravari e njoftoi vendimin në Facebook për bashkim me opozitën. Ndërkaq, Ziadin Sela dhe krahu i tij, përfshirë gjashtë nga tetë ligjvënësit e Aleancës për Shqiptarët si dhe ministri i Drejtësisë, thonë se janë shpërfillur të gjitha organet drejtuese të partisë, teksa idea e tyre ishte që partia të dilte e vetme në zgjedhjet e 8 majit.

Përplasjet u thelluan edhe më tepër në mes drejtuesve dhe eksponentëve të lartë të partisë, ndërsa u njoftua edhe për një incident fizik në mes aktivistëve të saj. Më pas, në oborrin e shtëpisë së Arben Taravrit u gjet një plumb, si mesazh kërcënues për jetën e tij, ndërsa autoritetet e rendit nuk e kanë zbuluar ende autorin e kësaj vepre.

Sidoqoftë, përçarjet brenda Aleancës për Shqiptarët duket se do ta dëmtojnë vetë partinë dhe sipas një pjese të analistëve ajo mund të shkojë drejt shuarjes. ASH-ja aktualisht është partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pas BDI-së./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb