Pas mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, Gjiknuri i pyetur për deklaratat e Presidencës për shpërndarje parlamenti apo tubim më 2 mars ka thënë se PD nuk ka pse të përfshihet në lojën e Presidentit kur i është rikthyer rrugës institucionale.

Gjiknuri tha se PD është e angazhuar për miratimin e një Kodi Zgjedhor që në fakt do e miratojmë parlamenti ndërkohë që Presidenti bën deklarata të tilla.

”Unë besoj se PD është për të miratuar Kodin Zgjedhor në bashkëpunim me ne dhe Kuvendin. Nëse vërtet kanë zgjedhur t’i kthehen insitucioneve s’kanë pse përfshihen në lojën e Presidentit..

Nuk ka diskutim për qeveri tranzitore, ato gjëra që nuk u arritën me luftë në rrugë s’mund të arrihen me negociata. është diçka e mbyllur, nuk e shoh si problem.”- tha Gjiknuri.

Prononcimi i plotë:

Gjiknuri: Sot patëm takimin e rradhës së tryezës për reformën zgjedhore. Diskutuam në lidhje me disa prej propozimeve të Partisë Demokratike për sistemin e ankimimit dhe sidomos formimin e Kolegjit Zgjedhor. Me keqardhje konstatoj se disa prej propozimeve kërkojnë rishikim sepse nuk mund të vënë në pikëpyetje te gjithe reformën në drejtësi apo të krijojnë një sistem “sui generis” që të jetë i imunizuar nga ajo çka po ndodh, pra nga Reforma në Drejtësi. Pra, ne jemi të gatshëm që të gjejmë kompromis por duke respektuar parimet kushtetuese dhe produktet e reformës në drejtësi. Hallet politike me drejtësinë nuk duhen kthyer dhe në tryezën e reformës zgjedhore. Ky pak a shumë ishte dhe qëndrimi yne. Ne diskutuam edhe në lidhje me çështje të tjera për të cilat jemi duke gjetur kompromis, siç janë shqetësimet e opozitës për rolin e Policisë së Shtetit, ku kemi ngarkuar ekspertët të gjejnë një formulë të përbashkët. Gjithashtu, në lidhje me propozimin që kishte Partia Demokratike në lidhje me sinjalizuesit dhe mbrojtjen që ata duhet të kenë nga autoritetet shtetërore. Edhe për këtë do ta gjejmë kompromisin. Pra, jemi duke progresuar për disa çështje, por nga ana tjetër siç e thashë, gjërat principale në lidhje me organizimin kushtetues dhe rendin kushtetues në këtë vend, ne nuk mund ti vëmë në pikëpyetje për shkak të disa shqetësimeve politike që ka një forcë e caktuar politike.

Pyetje: Deri me tani kemi vetëm propozime apo edhe dakordësi për çështjet?
Gjiknuri: Jua thashë. Për shembull çështja e sinjalizuesve që e ka sjellë si propozim Partia Demokratike. Po e gjejmë kompromisin dhe do të adresohet tek ligji për sinjalizuesit. Çështja që lidhet me rolin e policisë. Disa propozime të Partisë Demokratike për rolin e policisë, raportimet, ruajtja e rendit publik rreth Qendrës së Votimit janë disa propozime që do ti pranojmë me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, duke u dhënë zgjidhke brenda tyre. Pra, ka disa propozime që janë të karakterit garantues dhe teknik për më shumë transparencë dhe ne jemi të gatshëm që ti pranojmë.

Pyetje: A ndikojnë lëvizjet e fundit të Presidentit dhe paralajmërimi për shpërndarje Parlamenti tek ecuria e reformës zgjedhore?
Gjiknuri: Unë besoj se Partia Demokratike është aty për të miratuar Kodin Zgjedhor në bashkepunim me ne dhe Parlamentin, pasi është Parlamenti ai që do ta miratojë atë. Kështu që nëse vërtet duan dhe kanë vendosur ti kthehen institucioneve, bënë shumë mirë që u ulën në tryezën e reformës. Besoj se thirrjet e Presidentit nuk duhet të ndikojnë dhe nuk ka përse Partia Demokratike të përfshihet në lojën e Presidentit.

Pyetje: Tek propozimet e saj për rolin e policisë në proceset zgjedhore, PD ka përcaktuar dhe qeverinë tranzitore. E keni marrë parasysh dhe këtë pjesë?
Gjiknuri: Besoj se jua kam dhënë përgjigjen për këtë javën e kaluar. Nuk ka diskutim për qeveri tranzitore. Ato gjëra që nuk i arritën me “luftë” në rrugë nuk mund ti marrin me negociata në tavolinë. Pra, kjo është një çështje e ezauruar dhe është një çështje politike. Nuk ka lidhje me reformeën zgjedhore çështja e qeverise tranzitore apo kujdestare. Për mua është diçka e mbyllur dhe nuk e konsideroj si problem.

Pyetje: Lidhur me propozimin e sotëm të PD për Kolegjin Zgjedhor, ju po paralajmëroni që nuk do ta pranoni apo mund të bëhet një rishikim i propozimit?
Gjiknuri: Jua thashë. Nuk duket normale që procesi i vetingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Nga ana tjetër, mendoj se mund të ishte më e arsyeshme që gjyqtarët që kanë kaluar vetingun të jenë pjesë e procesit të përzgjedhjes për në Kolegjin Zgjedhor dhe këtu ne jemi dakord. Pra, duke e zgjeruar shkallën përtej Gjykatës së Apelit sepse ka një ngërç dhe një vështirësi në këtë drejtim. Ne jemi të hapur dhe nëse një pjesë kanë kaluar vetingun, pse të mos jenë ata shporta nga mund të zgjidhen anëtarët e Kolegjit. Megjithatë, unë e thashë se këto janë çështje që ne po i diskutojmë por nuk dua që propozimet e Partisë Demokratike të vënë në pikëpyetje çka është arritur me reformën në drejtësi apo të anashkalojnë atë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të ndaloj unë zbatimin e Kushtetutës për shkak të ligjit zgjedhor. Kjo është e pamundur. Kushtetuta ka përcaktuar detyrimin për të kaluar në proces vetingu të të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Atëherë nuk mund të pezullohet vetingu as me një dispozitë në Kodin Zgjedhor. A ka hapësira që të shikojmë brenda gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun por janë përtej Gjykatës së Apelit, duke përfshirë dhe Gjykatën e Shkallës së parë? Pse jo, le të jenë pjesë e përzgjedhjes. Besoj kemi një grup të mjaftueshëm për të zgjedhur një numër gjyqtarësh që nuk ka pse të shtohet. 8 siç kanë qenë, madje për mua mund dhe të pakësohen por nuk dua të paragjykoj procesin pasi është çështje negocimi.

Pyetje: Po sa i takon afateve që duhen reduktuar sipas rekomandimeve të ODIHR?
Gjiknuri: Po. Lidhur me rekomandimin e ODIHR për afatet ne jemi dakord dhe grupi teknik për reformën zgjedhore ka bërë propozimet përkatëse dhe nuk kemi ndarje në këtë drejtim. Shpresoj që opozita brenda javës tjetër të sjellë të gjitha propozimet dhe shqetësimet që ka edhe për çështjet e tjera. Dy apo tre javët e fundit ta shfrytëzojmë për gjetjen e kompromiseve për ato që janë të bëshme dhe për të lënë mënjanë ato që vërtet nuk realizohen e që janë propozime që nuk qëndrojnë as në raport me standardet e as me rekomandimet e ODIHR.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb