Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë zbulimit të detajeve të reja nga skandali i aferës së inceneratorëve deklaroi se kompanitë e përfshira në këtë skemë kanë marrë kredi në banka duke lënë kolateral pronën publike.

Meta akuzoi qeverinë se është vendosur në funksion të kësaj afere, ndërsa nënvizoi se dosja do të shkojë në SPAK.

“Sigurisht që edhe pak humor duhet në fund, por situata është tepër tragjike në drejtim të shkatërrimit të shtetit ligjor dhe interesit publik.

Sepse dihet që kryetari i Bashkisë ka angazhuar jo vetëm Bashkinë por krejt qarkun jashtë çdo kompetence në një borxh dhe detyrim të tillë. Këto s’janë paratë e bashkisë por të qytetarëve të Tiranës, që shkojnë te kompania mëmë, por e cila duhet të sjelli lekët këtu për të investuar për inceneratorin që nuk ekziston. Këto kompani kanë vendosur peng pronat publike në banka dhe i falënderoj bankat që po përpiqen t’i qëndrojnë larg skandalit të kësaj qeverie. Është e qartë se si i gjithë shteti është vënë në dispozicion të aferës së djegëseve. Në vend që të vijnë lekët dhe të investohen te inceneratori këtu, shkojnë lekët e shqiptarëve në Holandë dhe shumë vende të tjera që do t’i denoncojmë.  Ekipi i Partisë së Lirisë do t’i paraqesë të gjitha këto fakte përpara SPAK-ut dhe organeve të drejtësisë dhe jemi të bindur se gjykatësi më i mirë do të jetë populli i Shqipërisë dhe Tiranës, që janë prekur nga kjo veprimtari kriminale ndaj tyre”, tha Meta.

Ndërkohë, koordinatorja e luftës kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë Briseida Shehaj deklaroi se në shtator do të publikohet e plotë dosja me prova dhe fakte për paratë e marra nga buxheti i shtetit, kreditë dhe kolateralet e vendosura nga palët e përfshira.

Ajo theksoi se skandali bëhet edhe më i madh te inceneratori i Fierit.

“Në fakt pjesa e dërgimit të parave jashtë vendit ka vazhduar dhe vazhdon. Ne kemi dokumentacionin. Te ne po vijnë edhe ish-staf i inceneratorëve që po sjellin denoncime. Paratë që janë marrë për kredi nuk kanë shkuar për investime. Në shtator do bëjmë publike sa janë kreditë në banka, vlera reale e investimit dhe sa para janë marrë nga buxheti i shtetit. Është një situatë më e rëndë në koncesionin e Fierit. Sa për punët e tjera publike s’kanë lidhje me këto, por në momente të caktuara kanë marrë para që janë përdorur për ca investime të tjera jashtë Shqipërie dhe në rajon”, tha Shehaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb