Dy të dhëna nuk përbëjnë një fakt por dukshëm Partizani nuk është ai i një sezoni më parë. Nëse humbja përballë Teutës mund të qëndrojë, barazimi përballë Skënderbeut shton edhe më shumë tensionin në shtëpinë e kuqe. Ekipi i Ilir Dajës nuk di të fitojë, shfaqi sërish shumë limite duke gabuar thuajse në çdo repart. Jo të kthjellët në fazën sulmuese dhe shumë të prekshëm në prapavijë. Si të mos mjaftojë kjo situatë, as kapiteni Alban Hoxha nuk po arrin të kalojë në nivelin e liderit por gafat e tij po i kushtojë shtrenjtë ekipit kryeqytetas.

Skënderbeu nuk ishte rivali më i vështirë i mundshëm, në letër ishte mese i kalueshëm por Partizani bëri pak për të kaluar këtë pengesë. Në pjesën e parë Musta nga goditja e dënimit lëshoi sinjalin e parë të rrezikshëm ndërsa Stenio Zhunjour thuajse në çdo top që i erdhi në këmbë nuk bëri më të mirën. Skënderbeu nuk qëndroi pasiv në fushë por luajti si i barabartë në ato pak mundësi që iu krijuan.

Në fraksionin e dytë ishte sistemi VAR ai që bëri diferencën duke i akorduar penallti në favor të Partizanit pasi një faulli në zonë ndaj Tedi Carës. Nga 11 metra distancë, Zhunjor u tregua i saktë duke kaluar kryeqytetasit në avantazh.

Të dehur nga ky gol, Partizani u përgjum me Hoxhën dhe Damçevskin që nuk koordinohen ndërmjet tyre ndërsa Elvi Berisha përfitoi duke barazuar shifrat në 1-1 në minutën e 57-të. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me Partizanin që del me një pikë nga kjo transferta, pika e parë sezonale për të dy ekipet.

11-Musta provon nga goditja e dënimit, Rexhepi fluturon duke u mohuar Partizanit golin e avantazhit
17-Partizani insiston në zonën e Skënderbeut, Cara nga shumë pranë godet lehtë por topi nuk flirton në kudrat
25-Skënderbeu rrezikon për herë të parë portën e Alban Hoxhës në minutën e 26-të, Mara gjen në mënyrë perfekte Mensah në zonë por sulmuesi nuk arrin të koordinohet si duhet duke sfumuar një rast të pastër.
39-Stenio Zhunjor shërbehet në limitet e zonës së rreptësisë, braziliani gjuan fort por topi shkon mbi kuadrat
52-Tedi Cara lëviz mirë brenda në zonë, reklamon një 11-metërsh por nuk është i këtij mendimi gjyqtari i takimit. Pas sinjalizohet nga sistemi VAR dhe pasi risheh aksionin akordon penallti në favor të Partizanit.
56-Nga pika e bardhë e penalltisë, Stenio Zhunjor nuk gabon duke kaluar të kuqtë në avantazh.
57-Skënderbeu nis lojën nga mesi i fushës me një top të gjatë në zonë, Damçevski dhe Alban Hoxha nuk koordinohen si duhet ndërsa Elvi Berisha përfiton duke dërguar topin në rrjetë. Shpërthejnë në festë tifozët korçarë për këtë barazim të shpejtë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb