Sirenat që dëgjohen në sfond dhe pamje pothuajse surreale, më pas ulërimat e burrave dhe grave që dalin nga pluhuri i rrënojave si fantazma. Janë akoma edhe një herë pamjet e tmerrshme të minutave që pasuan atentatin e 11 shtatorit në Kullat Binjake të Manhatanit.
Këtë herë videoja është montuar dhe postuar në Youtube nga një operator i Cbs, Mark LaGanga, që atë ditë me telekamerën e tij takoi në vendin e ngjarjes zjarrfikës të trembur dhe qindra njerëz që përpiqeshin të arratiseshin nga ai vend, të mbuluar nga tymi, dhe pluhuri.
Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për pamje të pa treguara më parë dhe që tregojnë të gjithë realitetin e atyre momenteve të tmerrshme, që ndodhën atë ditë.
“Gjithçka u shemb përtokë, një ferr i vërtetë”, tregojnë disa zjarrfikës, të cilët LaGanga i takoi menjëherë pas rrëzimit të njërës Kullë, dhe të cilët i pyeti se çfarë kishte ndodhur.
Forca zjarrfikëse, policë, burra të mbrojtjes civile, plotësisht të mbuluar nga hiri që kolliten dhe mezi flasin dhe marrin frymë.
Më pas shihet një çift elegant afro-amerikan, një burrë dhe një grua, me shumë gjasa persona që vijnë nga brenda Kullave Binjake dhe ata të mbuluar plotësisht nga hiri, ajo e kapur nga paniku dhe dëshpërimi, ai i shokuar, por që përpiqet t’i japë kurajo gruas që është më të, teksa disa njerëz përpiqen t’i vijnë në ndihmë.
Operatori futet deri prapa kullës veriore, që akoma qëndron në këmbë, pavarësisht se të gjithë thonë që të largohet: “Është duke u shembur gjithçka, edhe këtu”.
Është shumë impresionuese pafuqia përballë një katastrofe kaq të madhe. LaGanga del dhe filmon mu në zemër të asaj që më pas do të bëhet Ground Zero, dhe pamjet që shihen janë si të një bombardimi, me ndërtesat dhe gratacelat e World Trade Center që mbeten në këmbë në mes të gërmadhave të shkatërruar.
Më pas momenti më i tmerrshëm, shembja e kullës së dytë. Njerëzit që vrapojnë të dëshpëruar drejt operatorit që ndalon dhe filmon dhe që në fund mbulohet nga retë e pluhurit.
Gjithçka bëhet e zezë dhe dëgjohet operatori që mezi merr frymë dhe kollitet, pothuajse duke u mbytur.
Boshllëk i zi dhe të tjera ‘fantazma’ që vrapojnë, pa një drejtim preciz. Tragjedia ndodhi. Dhe pas 17 vjetësh, me World Trade Center të rilindur, mungojnë akoma emrat e shumë nga pothuajse 3 mijë të vdekur.
(da.xha/BalkanWeb)