Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka shpallur 28 nëntorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në territoret palestineze, duke i hapur rrugën procesit të parë zgjedhor në rreth dy dekada.
Sipas dekretit presidencial, qytetarët në Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës do të thirren të votojnë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Legjislativ Palestinez.
“Dekreti presidencial u bën thirrje popullit palestinez në Jerusalem, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës që të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejtpërdrejta parlamentare”, thuhet në dekretin e publikuar nga agjencia zyrtare palestineze Wafa.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u zhvilluan në vitin 2005, ndërsa në vitin 2007 Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës pas përplasjes me lëvizjen Fatah të Mahmoud Abbasit.
Që prej asaj kohe, Fatah ka administruar Bregun Perëndimor, ndërsa Hamasi ka qeverisur Gazën.
Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve vjen vetëm pak ditë pasi Hamasi njoftoi tërheqjen nga administrimi i drejtpërdrejtë i Gazës, duke deklaruar se do t’i hapë rrugën një qeverie teknokratike për menaxhimin e territorit.
Organizimi i zgjedhjeve është konsideruar prej kohësh një nga reformat kryesore të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, i cili mbështet financiarisht Autoritetin Palestinez dhe kërkon forcimin e institucioneve demokratike.
Mahmoud Abbas, 90 vjeç, u zgjodh president në vitin 2005 për një mandat katërvjeçar, por që prej skadimit të tij në vitin 2009 ka vijuar të qeverisë me dekret, për shkak të mungesës së zgjedhjeve të reja.
Në vitin 2021 ai njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, por procesi u shty për një kohë të pacaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zhvillimin e votimit në Jerusalemin Lindor.
Deri më tani, Abbas nuk ka bërë të ditur nëse do të kandidojë në zgjedhjet e reja parlamentare, shkruajnë mediat e huaja.
