Qytetarët kanë nisur të mblidhen për të vijuar me protestën e cila po vijon prej 33 ditësh në kryeqytet. Aktivistë dhe qytetarë kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej” .
Më pas protestuesit pritet të vijojnë marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës ata do të shprehin kërkesat e tyre dhe më pas pritet të vijojnë me marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë protesta ka nisur që në orën 09:00, protestë që u shoqërua me tensione e përplasje prej rreth pesë orësh para Kuvendit. Të shumtë kanë qenë qytetarët që u bashkuan paqësisht para Parlamentit për të protestuar.
Por pas një provokimi që iu bë nga një deputet, protesta përshkallëzoi në përplasje, mes protestuesve dhe policisë.Protestuesit hodhën miell e vezë në drejtim të efektivëve, ku këta të fundit u kundërpërgjigjen me sprej lotsjellës.
Ndërsa qëndresa vijojë për disa orë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët, gjithashtu edhe autobotet me ujë e piper u përdorën kundër protestuesve.
Megjithatë tensionet para Parlamentit nuk janë drejtuar vetëm ndaj mazhorancës, por kanë përfshirë edhe përfaqësuesit e opozitës. Në një moment tjetër të tubimit, në ambientet jashtë Kuvendit kanë mbërritur disa deputetë të Partisë Demokratike. Sapo janë parë nga turma, protestuesit e irrituar kanë shpërthyer në thirrje dhe koret e tyre kanë marrë një tjetër kah.
“Opozitë e shitur!”, kanë qenë thirrjet që kanë jehuar në drejtim të deputetëve demokratikë, duke dëshmuar se revolta qytetare tashmë është e pozicionuar kundër të gjithë klasës politike tradicionale.
