Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë zyrtarë të lartë të Partisë Progresive Serbe (SNS), të Aleksandar Vuçiçit, duke kënduar dhe glorifikuar kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mladiç, pas humbjes së raportuar të kësaj force politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

Sipas agjencisë Anadolu, në videon e publikuar shfaqet edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, e mbështjellë me flamurin serb, teksa bashkohet me të pranishmit në këndimin e një kënge që lartëson ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës.

Pamjet janë regjistruar në selinë e Partisë Progresive Serbe, ku zyrtarë dhe mbështetës të kësaj force politike ishin mbledhur pas shpalljes së rezultateve zgjedhore.

Ratko Mladiç është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.

Glorifikimi i figurës së tij vazhdon të jetë një çështje e ndjeshme në Serbi dhe në rajon, ndërsa Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar kanë kërkuar vazhdimisht që autoritetet serbe të distancohen nga lartësimi i personave të dënuar për krime lufte.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb