Kryeministri japonez Shigeru Ishiba shprehu optimizëm të dielën se vendi i tij mund të shmangë tarifat më të larta të SHBA-së, duke thënë se Presidenti Donald Trump e ka “njohur” investimin e madh të Japonisë në SHBA dhe vendet e punës amerikane që ajo krijon.

Në samitin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë të premten, Ishiba deklaroi për mediat japoneze se ai i kishte shpjeguar presidentit republikan se sa prodhues japonezë të automjeteve po krijonin vende pune në Shtetet e Bashkuara.

Të dy nuk diskutuan në mënyrë specifike për tarifat e automjeteve, megjithëse Ishiba theksoi  se nuk e dinte nëse Japonia do t’i nënshtrohej tarifave reciproke që Trump ka thënë se planifikon të vendosë mbi importet.

Tokio deri më tani i ka shpëtuar luftës tregtare që Trump filloi në javët e tij të para në detyrë. Ai ka shpallur tarifa për mallrat nga Kanadaja, Meksika dhe Kina, megjithëse shtyu tarifat prej 25% për fqinjët e tij të Amerikës së Veriut për të lejuar bisedimet.

Tensionet e përshkallëzuara tregtare që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar kërcënojnë të përçajnë ekonominë  globale.

Presidenti japonez  tha se beson se Trump “e ka njohur faktin se Japonia ka qenë investitori më i madh në botë në Shtetet e Bashkuara për pesë vjet rresht, dhe për këtë arsye është i ndryshëm nga vendet e tjera”.

“Japonia po krijon shumë vende pune në SHBA. Unë besoj se Uashingtoni nuk do të shkojë drejtpërdrejt në idenë e tarifave më të larta,” shtoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb