Gazetari Ferdinand Samarxhi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli në lidhje me Pashkët Ortodokse dhe mesazhin që përcjell kjo ditë te besimtarët ortodoksë.

Ai u shpreh se Pashkët sjellin mesazhin e shpresës dhe mposhtjes së frikës dhe pushtetit të errësirës.

“Para vigjiljes së ngjalljes së Krishtit, njerëzit kalojnë një periudhë përgatitjeje shpirtërore për tu bashkuar me Perëndinë. Nga Pashka rregullohen të gjitha etapat e tjera të besimit të krishterë. E gjithë përgatitja paraprake, kulmon me mbrëmjen e nesërme ku pritet ngjallja trupësore e Krishtit. Pashkët kanë mesazhin e kalimit.
Megjithëse ishte bir Perëndie ai do të vijë në formë njerëzore sepse do të marrë me vete të gjitha mëkatet e qenies njerëzore. Krishti vjen nesër mbrëma dhe do të na nxjerrë nga jeta e mëkatit në jetën e përsosur të hirit duke dhuruar shpresë dhe duke transformuar jetën tonë. Krishti kërkon që krijesa njerëzore të ketë integritet. Këtë përcjell Pashka. Perëndia dha birin e vetëm të vetëlindur për të shpëtuar njerëzit.
Ai do të përmbysë botën e smirës, mëkatit, errësirës, xhelozisë dhe pushtetit të ferrit e frikës. Krishti vjen të dërrmojë këtë pushtet. Krishti sjell në krijesat njerëzore ndriçimin. Krijesa njerëzore nuk ka pse të ketë më frikë. Ai sjell mesazhe të mëdha sepse do të shkrihet e do të jetë me ta, do të kalojë kalvarin në kryq për të shpëtuar krijesat njerëzore.
Ringjallja e tij sjell optimizmin që edhe krijesa njerëzore të gjejnë optimizmin brenda vetes. Ringjallja është misteri thelbësor i besimit të krishterë. Krishti i ngjallur ngriti dinjitetin e qenies njerëzore. Pashka është drita dhe Krishti thotë unë jam drita jam e vërteta dhe jeta”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb