Histeria kolektive për të kryqëzuar PD-në për çdo gjë është e rrezikshme. Është impotenca e një shoqërie që rrezikon të humbasë peshën dhe rolin e saj. Kur përfaqësuesit e PD-së çirreshin se do të vijmë në një ditë që s’do të ketë asnjeri fuqinë të çohet për askënd, na qeshnin, na kritikonin apo na injoronin. Historia e pastorit gjerman në periudhën naziste u bë banale dhe s’tërhiqte vëmendjen e askujt.
Në pamundësi për t’u marrë me gomarin që po zhbën Shqipërinë, i biem samarit. “Fajin e ka opozita” dhe ndërrojmë krah për të vazhduar gjumin letargjik të një shoqërie që po vdes.
Protesta për sistemin e ngritur nga regjimi i antishqiptarit Rama bëhet në Tiranë. PD ka vite që e jep si të vetmen zgjidhje. Mospërgjigjja ndaj protestave kombëtare dhe mosbindjes civile na ka sjellë këtu. Nuk bëhen protesta me 30 veta ndër gardhe. Nuk janë origjina e problemit as këta vagabondë me maska, as telat me gjemba, por Kryeministri i Gys Agasit në Tiranë.
Çdo protestë është legjitime, por PD s’mund ta kthejë në çështje kombëtare çdo padrejtësi (që në Shqipëri janë të pafundme) dhe, në pamundësi të kësaj, të rrimë me gozhda në duar për ta kryqëzuar PD-në.
Historitë e tjera me oligarkë e me heshtjen e opozitës janë përralla për të shkarkuar pamundësinë për t’i rënë gomarit. PD e ka bërë përherë betejën e saj.
Duhet të kuptojmë se deri ku shkon detyra e një partie politike. Ne kemi, si shoqëri, urrejtje për të pasurit. Në fakt, ata që quhen rëndom oligarkë janë njerëz që janë në treg prej viteve ’90 dhe kanë ndërtuar pasuri, kanë dhjetra biznese e mijëra të punësuar sot. Oligarkët e vërtetë dihet kush janë.
Këta oligarkët-star, për të cilët flasim shpesh, një parti politike u del përballë kur marrin para publike dhe këtë PD e ka bërë këto 13 vite. S’po them se nuk ka ceduar kurrë askund, por PD ka bërë dhe bën, që kur ekziston, shumë më tepër se i takon, dhe është shumë më para se shoqëria në tërësi, që i është dorëzuar patronazhimit dhe nënshtrimit.
Të gjitha copat e Shqipërisë që po falen sot nuk janë dhënë me firmën e funksionarëve të PD-së, as nën qeverisjen e PD-së. Zonat e mbrojtura nuk e humbën statusin nën drejtimin e saj. Përkundrazi, shumica janë njohur si të tilla në kohën kur kjo parti udhëhiqte vendin.
Një shoqëri e shëndetshme nuk e humbet kohën duke kërkuar fajtorë të rremë. Ajo ka guximin të identifikojë burimin e vërtetë të problemeve dhe të përballet me të. Vetëm kështu mund të dalë nga apatia dhe të rimarrë rolin e saj në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe interesit publik.
