Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nisi me një fjali dëshirore në fillim të viteve ’90, e cila i ngjante më shumë një çlirimi psikologjik nga shumë vite izolimi me botën, e mishëruar në thirrjet e lëvizjes studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Por në politikë gjithmonë pas vrullit poetik që ngjallin lëvizje të tilla, të cilat përmbysin sisteme, vjen faza e fjalive prozaike të mënyrës dëftore, e cila të tregon se për të arritur tek dëshirat nuk mjafton entuziazmi i revolucioneve. Pas një periudhe gati 40-vjeçare që prej përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, vendi ende ndodhet në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Ndoshta optimistët e pas viteve 90, që besonin se anëtarësimi mund të ndodhte më shpejt, duhet t’i rikthehen thënies së dikurshme se “pesimistët janë optimistë të informuar”.

Që nga viti 90, shpejtësitë e ndryshme të zgjerimit të BE-së brenda Ballkanit Perëndimor dhe “parimi i kushtëzimit” që përshkon procesin e integrimit kanë ushtruar të gjithë peshën e tyre mbi këtë rrugëtim të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Ndërkohë objektivi strategjik i Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare për të përmbyllur negociatat për anëtarësim brenda fund vitit 2027 dhe ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit me BE deri në fund të vitit 2030, janë shndërruar në gurë kilometrikë drejt së cilës duket se po vrapon çdo fjali e iniciativë politikëbërëse e ligjbërëse në vend. Duhet theksuar se politika e zgjerimit të BE drejt vendeve jo-anëtare, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor (BP) tashmë është shndërruar një ndër instrumentat e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ku terma të tillë akademikë të teoricienëve të marrëdhënieve ndërkombëtare si “fuqia e butë”( angl.soft power) po përpiqen të argumentojnë suksesin e këtij instrumenti.

Mënyra sesi BE e shpreh interesin politik e teknik për t’u zgjeruar me vende të reja tashmë është e përcaktuar në Nenin 49 të Traktatit për Funksionimin e BE (Traktati i Lisbonës 2009)ku theksohet se “anëtarësimi në BE është i hapur për çdo shtet europian që respekton vlerat e përkufizuara” në Nenin 2 si“ respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit, dhe respektin për të drejtat e njeriut përfshirë të drejtat e minoriteve”. Në vetvete ky nen nënkupton një proces negociator ku secili vend kandidat i duhet të provojë se mund të kalojë “purgatorin” e Nenit 2 për të merituar anëtarësimin.

Nga ana tjetër zgjerimi i Bashkimit Europian me vende të reja anëtare është konsideruar si proces i përmbushjes së kritereve teknike që kanë hyrë në fjalorin e gjerë të termave të BE si epitoma të lidhura me emrat e qytete apo kryeqyteteve të Europës ku janë zhvilluar Samitetet e krerëve të shteteve të BE. Emërtime të tilla si Kriteret e Shengenit (24 Mars 1985), Mastrihtit (7 Shkurt 1992), Kopenhagenit (22 Qershor 1993), Madridit (16 Dhjetor 1995) janë bërë kryefjalë e negociatave. Shpesh ato mund të ngjallin indiferencë mes njerëzve të zakonshëm, që procesin e zgjerimit e përjetojnë përmes rezultateve të “4 lirive” (liria e lëvizjes së njerëzve mallrave, kapitaleve dhe shërbime), por ato në fakt janë “dhimbja e vërtetë e kokës” për politikanët dhe administratat publike të vendeve kandidate gjatë procesit të negociator me BE.

Ndër kriteret e para-anëtarësimit në BE veçohen ato të Kopenhagenit (1993) e Madridit (1995) që lidhen me plotësimin e elementëve politikë e administrativë si edhe kriteret e post –anëtarësimit ku përmenden ato të Shengenit(1985) e Mastrihtit (1992), të cilat duhet të ndiqen nga shtetet e porsa anëtarësuara për t’u bërë pjesë e Zonës Euro apo Zonës Shengen. Si rrjedhojë procesi i anëtarësimit në BE ngjan me një “maratonë kriteresh” përmes të cilave vetëpërsoset çdo hap i tregut të brendshëm që është shtylla kurrizore e këtij gjiganti ekonomik me një treg prej 448,4 milion banorësh e PBB vjetore prej 15.8 trilionë dollarësh.

Termi negociatë e përmbush shumë mirë kuptimin e tij të dyfishtë etimologjik si “punë” dhe “komunikim”. Fjala negociatë u përhap në gjuhët e tjera përmes anglishtes së mesjetës në fillim të shekullit të 15-të në formën negotiacioun. Në atë kohë, kjo fjalë nënkuptonte “ndërveprim me njerëzit” ose “të bësh biznes. Kuptimi u zgjerua në latinisht dhe më vonë në anglisht nga shek XVI, duke kaluar nga kuptimi i thjeshtë “të bësh biznes” në “komunikim aktiv për të arritur një marrëveshjeje të ndërsjellë” ose negocim. Më 21-22 Qershor 1993 me Samitin e Kopenhagenit, BE do të përuronte për herë të parë “politikën e zgjerimit” drejt vendeve të Europës Qëndrore e Lindore( EQL) që sapo kishin dalë nga regjimi komunist përmes atyre që do të hynin në terminologjinë negociatore si “kriteret politike e ekonomike të Kopenhagenit “Ato do të përbënin bazën negociatave për anëtarësim mes zyrtarëve të Komisionit Europian dhe përfaqesuesve të këtyre vendeve. Grupet negociatore të vendeve si Çekia, Sllovakia Hungaria, Polonia, Estonia, Lituania, Letonia, Sllovenia, Bullgaria e Rumania u përballën me “malin” prej afërsisht 100,000 direktivash e rregulloresh që mbulonin 35 kapitujt e negociatave, të cilat përfshinin çështje që nga lëvizja e lirë e mallrave deri tek politikat e peshkimit. Padurimi për t’u bërë vend anëtar dhe trashëgimia historike e disa prej tyre e bëri procesin negociator më të përshpejtuar.

Prej 31 Marsit 1998 kur këto vende filluan negocitatat për anëtarësim dhe deri në 1 Mars 2004, kur ato u bënë anëtarë të BE me të drejta të plota, ishte një periudhë 6-vjecare ku negociatat ishin nën presionin e kërkesave për të arritur standartet që parashikonin acquis communitaire. Në këtë afat, negocimi u përzie gjithashtu me dëshirën gjeopolitike për ti shtrirë kufijtë e jashtëm të BE drejt pjesës qëndrore e lindore të kontinentit europian, ndërsa politika e zgjerimit ishte shndërruar tashmë në shtyllën e Politikës së Jashtme të Përbashkët e të Sigurisë. Megjithatë Bullgaria e Rumania përjetuan ndjesinë se kishin ende shumë për të bërë dhe procesi i tyre negociator me BE për herë të parë u përball me raportin e dyfishtë “negociata dhe tregociata”, ndërsa pranimi i tyre u bë 3 vjet më vonë, më 1 Janar 2007 .

Nga ana tjetër kjo “shtyrje” u bashkëshoqërua me Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit ( Cooperation and Verification Mechanisma- CVM) që parashikoi një periudhë kalimtare “ tregociatash” prej më shumë se 16 vitesh për të dy vendet , që vazhdoi deri më 15 Dhjetor 2023 .Përgjatë kësaj periudhe Bullgaria e Rumania duhet ti “tregonin” BE se cfarë rezultatesh kishin arritur pas anëtarësimit në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit ndërsa Bullgaria duhet të “tregonte” masat dhe përpjekjet për luftën kundër krimit të organizuar. Vendosja e gjashtë piketave specifike( angl,benchmarks) për Bullgarinë dhe katër për Rumaninë, u lidhën me pavarësinë dhe efikasitetin e pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe strukturat kundër korrupsionit.

Siç duket tashmë BE kishte kuptuar se faza post-negociatore për disa vende vazhdonte edhe pas anëtarësimit të tyre . Kalimi nga “negociata” në “tregociata” nuk ishte metaforik por dëshmi e historisë së ngjarjeve që pasuan , lidhur me sjelljen e vendeve të anëtarësuara.Këtë e dëshmon fakti se prej 16 Dhjetorit 2020 botohet Raporti i BE-së për Sundimin e Ligjit (The EU Rule of Laë Report) që përfaqëson një cikël vjetor monitorimi tw Komisionit Europian ,i cili vlerëson zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Raporti ishte rrjedhojë e miratimit më 16 Dhjetor 2020 të Rregullores lidhur me kushtëzimin e sundimit të ligjit (The Rule of Laë/ Conditionality Regulation Regulation (EU, Euratom .16.12. 2020/2092 një akt ligjor i BE i cili i mundëson Komisionit Europian të marrë masa – përfshirë pezullimin e pagesave të fondeve nga buxheti i BE-së – ndaj shteteve anëtare që shkelin parimet e sundimit të ligjit të përcaktuara në Nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Europian. Origjina e kësaj qasje në formë “tregociate” për vendet anëtare pasi kishte përfunduar procesi i anëtarësimit ishte rrjedhojë e shenjave të degradimit të demokracisë në Poloni e Hungaro, që u shndërrua në një shqetësim madhor për BE që prej vitit 2010, gati 6 vjet pasi këto vende ishin anëtarësuar.

Në Dhjetor të vitit 2017, Komisioni Europian nisi procedurat e pezullimit Polonisë sipas Nenit 7 të Traktatit të Lisbonës( 2009) ndërsa në Shtator të vitit 2018, Parlamenti Europian ndërmori të njëjtin hap ndaj Hungarisë. Megjithatë, procedurat ngecën pasi pezullimi i një shteti anëtar sipas Nenit 7 kërkonte unanimitet, çka ishte e pamundutr të arrihej. Për këtë arsye Komisioni Europian propozoi lidhjen e disbursimeve nga buxheti i Bashkimit Europian me respektimin e standardeve të sundimit të ligjit, përmes një rregulloreje të veçantë. Përkundrejt këtij rrugëtimi të negociatave dhe tregociatave me ish-vendet komuniste të Europës Qendore e Lindore (Çekia, Sllovakia Hungaria, Polonia, Estonia, Lituania, Letonia, Sllovenia, Bullgaria e Rumania) procesi i zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor kaloi fillimisht nga parimi i qasjes rajonale (angl.regional approach) për tu përqëndruar më pas tek parimi i rrobaqepësit (angl.tailor made approach) ku secili vend do të vlerësohej sipas meritave duke i qepur “kostumin e anëtarësimit” sipas përshtatjes me përmasat e trupit legjislativ e institucional”. Në Deklaratën e Samitit të Selanikut të 21 Qershorit 2003 , për herë të parë BE deklaroi se ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë ishte ne Bashkimin Europian, duke përuruar në këtë mënyrë, fillimin e një rrugëtimi të gjatë e sfidues drejt anëtarësimit që vazhdon prëj 23 vitesh!

Kjo qasje e përfshiu rajonin në mënyrë të natyrshme brenda konceptit të`shpejtësive të ndryshme të zgjerimit, megjithëse parimi i negociatave mbeti i njëjtë. Një karakteristikë e tillë është e dukshme mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor siç janë Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnje & Hercegovina, ashtu sic e tregon edhe historia e përpjekjeve dhe procesit të tyre të integrimit në BE. Nga ana tjetër politika e kushtëzimit që qëndron në bazë të procesit të integrimit europian gjatë viteve të fundit e ka shtyrë vecanërisht Shqipërinë drejt përshtatjeve të kushtetutës së saj për t’iu përgjigjur disa sfidave të brendshme. Një nga tiparet më të dukshme të kësaj qasje u vërejt gjatë ndryshimit të kushtetutës më 22 Korrik 2016 për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si një përpjekje për të përfituar nga fuqia e butë transformuese e BE, në lidhje me një prej pushteteve më të rëndësishme të sistemit të demokracisë liberale.

Që prej 1 Korrikut 2013, kur Kroacia ishte vendi i vetëm nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që u anëtarësua në BE, ajo mbeti i vetmi vend i rajonit që përfundoi në kohën më të shkurtër të mundshme këtë proces. Periudha 6-vjeçare prej 4 Tetorit 2005 deri në 12 Dhjetor 2011 dëshmoi se Krocaia do të ishte vendi i fundit që do të përmbyllte negociatat brenda afatit klasik 6-vjeçar të “ bing bangut “ të anëtarësimit të vendeve të Europës Qëndrore e Lindore. Pas anëtarësimit të Kroacisë Strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Europian e 12 Tetor 2011 nxititi “qasjen themelore” (angl.fundamental approach) që nënkuptonte se negociatat e ardhshme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të ishin më shumë “tregociata” për këto vende, ku iu duhej të tregonin që në fazat e hershme të procesit negociator, se çfarë kishin bërë dhe po bënin lidhur me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjes demokratike.

Kjo metodologji lindi nga përvojat e mëparshme të zgjerimit siç ishte pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007, duke synuar të parandalonte mangësitë strukturore dhe ato të qeverisjes pas anëtarësimit, përmes zbatimit të detyrueshëm dhe rigoroz të kritereve që në fazat fillestare.Komisioni Europian vendosi që kapitujt kryesorë, të cilët kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, sic ishin Kapitulli 23 dhe Kapitulli 24, duhet të trajtoheshin që në fazat e hershme të negociatave për anëtarësim dhe si rrjedhojë vendet kandidate duhej të tregonin rezultate të prekshme në pavarësinë e gjyqësorit, masat kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar para se të mbyllnin ose të avanconin nëpër fazat e ndryshme negociatore. Një theksim i veçantë iu kushtua mbrojtjes së lirisë së shprehjes, pavarësisë medias dhe forcimin e reformave të administratës publike.

Mali i Zi prej fillimit të negociatave më 29 Qershor 2012 dhe Serbia më 21 Janar 2014 kanë dëshmuar se tashmë BE e ka dyfishuar këtë periudhë negocimi me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me ato të vendeve të vendeve të Europës Qëndrore e Lindore , duke u dhënë më shumë kohë “tregociatave” për të vërtetuar gadishmërinë e seriozitetin e tyre për të qenë anëtar. Megjithëse popullsia e këtyre 6 vendeve të BP (17,900,418 banorë) është më e vogël se vetëm e Rumanisë, njërit prej 10 vendeve të EQL që u anëtarësuan në 2004, tashmë kohëzgjatja e negociatave me vendet që vinë nga Ballkani nuk është më dilemë por teoremë që kërkon të vërtetojë se vetëm duke “treguar” çfarë janë në gjendje të bëjnë gjatë fazës së negociatave, ata mund ta meritojnë anëtarësimin.

Nga ana tjetër BE-ja më 28 Prill 2018 miratoi një Strategji Zgjerimi të re për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke hartuar iniciativën e saj për sundimin e ligjit , si edhe ofroi një kuadër kohor për Serbinë dhe Malin e Zi për tu bashkuar mundësisht Bashkimit Europian deri në vitin 2025, por pa harruar të përshkruante hapat e ardhshëm për anëtarësimin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje & Hercegovinës dhe Kosovës. Edhe pse BE-ja i dha dritën jeshile hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ajo paraqiti gjithashtu edhe një metodologji të re lidhur me “negociatat për anëtarësim” që do të përfshinte tashmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të dhëna të përgjithshme për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor

Nr Emri i Vendit Popullsia Sipërfaqja GDP GDP/per kapita
Vendet e BP=6
1 Bosnie&Hercegovina 3,475,000 51,129 km2 23 miliardë $ 7,078 $
2 Kosova 1,935,259 19,887 km2 8.5 miliard $ 4,649 $
3 Mali i Zi 620,739 13,812 km2 5 miliardë $ 7,688 $
4 Maqedonia e Veriut 1,836,713 25,713 km2 12 miliardë $ 6,143 $
5 Serbia 7,186,762 88.361km2 65 miliardë $ 9,560$
6 Shqipëria 2,845,955 28,748 km2 16 miliardë $ 5,847 $
Vendet e BP=6 17,900,418 227,750km2 139.5miliardë $ 6,712 $
Vendet e BE=27 447,007,596 4,233,462 km2 17 trilion$ 40,995$

Ndërkohë, Strategjia e re e zgjerimit e miratuar nga Komisioni i BE-së në 24 Mars 2020 me propozimin e presidentit francez Macron, shënoi një ndryshim domethënës duke vendosur parimin e negociatave mbi bazën e “ Grupkapitujve të ndarë në 6 fusha tematike. Nga mënyra sesi është ndërtuar , ajo është mbështetur më shumë në “ tregociata” sesa “ negociata”, kur për të kaluar nga një grup kapitull cdo vend kandidat duhet të “tregojë “se cfarë ka bërë në Grupkapitullin e parë.

Tashmë ajo konsiderohet si një gur themeli i politikës së zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, së bashku kornizën e re të negociatave për anëtarësim që është përqëndruar tek qasja “kapitujt themelorë të parët (Kapitulli 5: Prokurimi Publik; Kapitulli 18:Statistikat; Kapitulli 23: Gjyqësori & të Drejtat themelore; Kapitulli 24:Drejtësia,Liria, Siguria; Kapitulli 32:Kontrolli Financiar; Kriteri Ekonomik).

Shqipëria ka përjetuar një maratonë të vërtetë për të mbërritur deri tek momenti ku filloi zyrtarisht të negocionte me Bashkimin Europian teksa i duhej të priste 10 vjet nga 24 Qershori 2014 deri në 15 Tetor 2024 kur filloi negociatat me hapjen e Grupkapitullin e I-rë : Themeloret , që simbolikisht përmes emrit përfaqëson themelin e negociatave me BE.

Megjithatë në këtë periudhë gati 10-vjeçare për Shqipërinë ka rënduar më shumë pesha e “tregociatave” ku veçanërisht një sërë parakushtesh kanë shoqëruar të gjithë procesin deri kur u hapën zyrtarisht negociatat me Grupkapitullin e I-rë. Nga 24 Qershori 2014, Shqipëria u përball me sfidën për t’i “treguar” Komisionit Europian e vendeve anëtare të BE se e kishte marrë seriozisht luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, diçka që BE kishte vendosur të mos ia linte dëshirave e vullnetit të shteteve të porsananëtarësuara, por kërkonte një “higjenë negociatore” përmes rezultateve, përkundër asaj që e kishte përkufizuar në Progres Raportin për Shqipërinë të 14 Tetorit 2009 si krijimi i një “kulture të pandëshkueshmërisë”.

Tashmë reforma në drejtësi ka përmbushur vitin e 10-të të zbatimit të saj është shndërruar në “vajin” që shpesh përpiqet të clirojë nga ngërci mekanizmat e procesit negociator mes Shqipërisë dhe BE duke “treguar “rezultatet. Një rastësi gjeopolitike si sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në 24 Shkurt 2022 u duk se vërtetoi atë thënien se “rasti është mbret i botës”, teksa BE nisi të përshpejtojë procesin e zgjerimit duke vendosur afate anëatesimi për vendet e Ballkanit që deri më parë mezi shqiptoheshin. Si rrjedhojë Mali i Zi ka prodhuar slloganin “2028 në 2028” duke besuar se do të jetë shteti i 28-të i BE që do të anëtarësohet në 2028 pasi të jetë ratifikuar Traktati i Anëtarësimit, megjithëse ndonjë vend anëtar mund të ofrojë surpriza të pakëndshme përmes” parimit të unanimitetit” gjatë këtij procesi.

Ndërkohë Shqipëria ka përcaktuar vitin 2030 si stacionin e fundit, ku beson se do të ndalë procesi gati 40 vjecar i ëndrrës europiane që nisi pas viteve 90. Megjithatë “diktatura e paparashikueshmërisë” së ngjarjeve brenda skenës politike në Shqipëri dhe asaj të BE duke sikur lë njëfarë fryme pezull, por deri tani Shqipëria përmes “negociatave” e “tregociatave” po përpiqet që brenda vitit 2027 ta përmbyllë procesin negociator për të 6 Grukapitujt. Gjithsesi rasti i politikës së zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor dhe procesi negociator që ka ndjekur me secilën nga këto vende përfshirë Shqipërinë, ka qenë një çerekshekull plot sfida e të papritura.

Nëse do të përdornim një krahasim gastronomik, negociatat me BE në përgjithësi i ngjajnë një menyje fikse, ku vendi kandidat përzgjedh vetëm” kohën kur do të hajë një ushqim të caktuar” . Ndërsa qasja e përforcuar e “tregociatave” ka qenë një garanci shtesë për të treguar se çdo vend ka “stomakun e duhur “ për të përthithur e tretur një ushqim institucional e administrativ që sa vjen e shtohet pas fazës së anëtarësimit. Prandaj BE-ja këtë qasje duket se e ka shndërruar në një teoremë me të cilën shpreson të zgjidhë ekuacionet e anëtarësimeve të reja në të ardhmen.

*Ekspert për Integrimin Europian

Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi Europian” të Institutit Shqiptar të Medias

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb