TIRANE- Partia Demokratike vijoi edhe sot akuzat në drejtim të kryeministrit Rama, në lidhje me ndërtimin e një shtese kati në pallatin e deputetit Sadri Abazi në zonën e ‘Zogut të Zi’ në Tiranë.

Sipas zëdhënëses së PD-së, Ina Zhupa, “Rama në 2010-ën vendosi ti prishte pallatet pa leje të Abazit, ndërsa në 2016-ën i lejon dhe shtesë kati pa leje”.

Zëdhënësja e PD-së publikoi edhe disa vendime që sipas saj, janë vendimet e Ramës kur ishte kryetar bashkie, për prishje objekti të pallateve të Abazit, sepse janë ndërtuar pa leje.

“Më pas Rama u miqësua me Sadriun, ose Sadriu diti se si ta rregullonte punën me të. Dhe sot Rama ka ndryshuar mendje, del dhe thotë se Sadriu është në rregull, dhe i paska legalizuar pallatet. Si mund të legalizohet një objekt për të cilin ka vendim prishje?
Të gjithë këto; janë përpjekje kriminale për të mbuluar këtë shkelje skandaloze të ligjit, këto dy standarde në vend, ku mijëra vetë janë në burg për një rregullim çatie, ndërsa Sadriun e Ramës nuk e gjen gjë për ndërtimin e një kati të tërë pa leje në mes të Tiranës.
Kjo padrejtësi do të marrë fund. Dibra e para do të çlirohet me 11 shtator nga ky sundim bande. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.”- deklaroi Zhupa.

Ina Zhupa përmendi edhe emrin e drejtoreshës së INUK-ut, Dallëndyshe Bici, të cilën e cilësoi si drejtoreshë kukull të Ergys Hoxhës, i cili sipas PD-së, “drejton operacionin kriminal dhe korruptiv të blerjes së votës në Dibër”.

Bashkia Tiranë%2c vendim për prishje objekti%2c 17.02.2010.

BICI: PD-së I KA MBETUR VETËM BALTA
Pas deklaratës së PD-së, ka reaguar drejtuesja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici e cila i cilëson denigruese, shpifëse dhe të turpshme deklaratat e Partisë Demokratike.

Kryeinspektorja e IKMT-së, thekson se “është qesharake që sot Partia Demokratike pretendon se paska një vendim prishje për një pallat në vitin 2010! Ndërkohë që zoti Basha, që ishte kryetar bashkie nga viti 2011 deri në vitin 2015, jo vetëm nuk e paska ekzekutuar këtë vendim, po tani më akuzon mua për një objekt të legalizuar sipas ligjit dhe ku po kryhen punime me dokumentacion ligjor!”

DEKLARATA E PLOTE E BICIT
Në cilësinë e Kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, hedh poshtë me neveri deklaratën denigruese, shpifëse dhe të turpshme të Partisë Demokratike në adresën time! Eshtë e turpshme deri në kufijtë e të pabesueshmes që një parti politike të denigrojë publikisht me akuza të sajuara dhe me gjuhën më të ulët të mundshme, një grua dhe drejtuese të një institucioni që flet me punë, fakte, shifra në një front tepër të vështirë. Turp për Partinë Demokratike! Turp për Lulëzim Bashën! Keqardhje për zëdhënësen e Partisë Demokratike që pranon të lexojë publikisht një çarçaf të tërë balte ndaj një gruaje dhe drejtueseje të një institucioni.

Eshtë qesharake që sot Partia Demokratike pretendon se paska një vendim prishje për një pallat në vitin 2010! Ndërkohë që zoti Basha, autori i çarçafit të baltës që ishte kryetar bashkie nga viti 2011 deri në vitin 2015, jo vetëm nuk e paska ekzekutuar këtë vendim, po tani më akuzon mua për një objekt të legalizuar sipas ligjit dhe ku po kryhen punime me dokumentacion ligjor!

IKMT ka kryer detyrën edhe pas denoncimit të zotit Basha ashtu si të çdo qytetari dhe ka rezultuar se pretendimi i ish-kryetarit të Bashkisë, nuk ka asnjë bazë ligjore. UnË i them zotit Basha dhe gjithë zëdhënësve të tij, se sulmet e tyre të ulëta, shpifjet e tyre ekstreme dhe balta e tyre e shpifur, nuk më lëkundin aspak në kryerjen me përgjegjësi të detyrës time.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb