Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes politike për Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike ka ndezur motorët e fushatës.

Këtë të diel, kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë e Partisë, ku ka kërkuar nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

PD pritet të zhvillojë gjithë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë me parimin “një anëtar, një votë”. Ndërkohë, ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri më 15 shtator, duke e mbajtur të angazhuar në maksimum bazën e Partisë Demokratike.

Kujtojmë se pas një jave takime intensive mes palëve politike dhe ndërkombëtarëve, politika shqiptare arriti një marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Mazhoranca pranoi disa prej propozimeve kyçe të opozitës për realizimin e kësaj reforme, ku mes tyre ishte edhe depolitizimi i administratës zgjedhore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb