Aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike, Silvana Xhaferri Hoxha, ka komentuar në një intervistë për “News24” protestën e datës 8, duke deklaruar se opozita e shfrytëzoi atë për të treguar forcën e saj politike, por sipas saj, pjesëmarrja e ulët dëshmoi mungesën e mbështetjes nga qytetarët.
Hoxha u shpreh se pjesëmarrja e tyre në protestë ishte e planifikuar, ndërsa theksoi se përgjegjësinë për situatën aktuale në vend e mban e gjithë klasa politike e 36 viteve të fundit.
Sipas Hoxhës, një lëvizje më e ndershme politike do të kërkonte largimin e kryetarit të opozitës, duke argumentuar se qëndrimi i tij në detyrë është një nga arsyet që, sipas saj, Edi Rama vijon të jetë në pushtet.
Duke iu rikthyer protestës, aktivistja tha se opozita mund ta ketë konsideruar atë si një mundësi për të matur forcat me kundërshtarët politikë, por rezultati, sipas saj, nuk ishte në favor të saj.
Ajo theksoi se protesta duhet të shërbejë si një moment reflektimi për opozitën, e cila, sipas saj, duhet të rishikojë qëndrimin dhe strategjinë e saj politike përballë realitetit aktual.
“Në protestën e datës 8 e kishim të qartë që do të ishim. Opozita besoj se shfrytëzoi momentin për të treguar forcën e saj. Ne u treguam të kujdesshëm. Ne bëjmë fajtor të gjithë klasën politike të këtyre 36 viteve për këtë realitet ku jemi sot. Dhe do ishte më mirë që duke i bërë fajtor lëvizja më e ndershme do të ishte që kryetari i opozitës të largohej dhe nuk është larguar dhe kjo është edhe arsyeja përse Rama është në pushtet. Dhe për protestën, duke e kuptuar që të gjithë zonat e bashkive do ishin në protestë dhe ne do të ishim në protestë, besoj se opozita mendoi se do arrinte një matje forcash. Por fatkeqësisht për ta, nuk kanë më ndjekës, dhe rrjedhimisht numri i përfaqësuesve ishte shumë i vogël. Në mendojmë që ajo ditë duhet t’i ketë bërë opozitës t’i thërrasë mendjes jashtë mase shumë. Kemi pasur elementë të infiltruar nga PD. Por ajo protestë atë ditë bëri të qartë se nuk ka më opozitë edhe në letër dhe populli duhet të mendojë seriozisht për një opozitë të organizuar”, tha ajo.
