TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar sot me akuzat ndaj deputetit socialist Taulant Balla duke publikuar edhe dokumente që sipas saj faktojnë se Edmond Bego ka fituar miliona nga buxheti i shtetit falë lidhjeve me politikën.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho ka dalë sot para mediave duke i kërkuar Taulant Ballës “të tregojë a ka hyrë sekser që miku i tij kriminel të fitojë fitoi tenderin 100 milionësh nga OST në Librazhd”.

“Arrestimi i trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego, mik familjar i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është dëshmia më e freskët sesi Edi Rama ka kriminalizuar gjithçka, që nga zyra ku punon, deri tek paratë që u merr shqiptarëve me taksa gjithnjë e më të larta.
Partia Demokratike po publikon sot një provë zyrtare sesi buxheti i shtetit është vënë në shërbim të mikut kriminel të Taulant Ballës, i cili tha dje se nuk ishte përdorur si mburojë politike për ish anëtarin e bandës së Lushnjës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania ‘Inerte Express’, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së Taulant Ballës, nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017.
Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit”, deklaroi Spaho.

Sipas tij, ‘dokumentat tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd’.

“Kolegu im, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duhet t’u thotë shqiptarëve a ka bërë ai sekserin me OST-në, që miku i tij trafikant droge të fitojë një tender prej 100 milionë lekë?
Sa më shumë të heshtë Taulanti pa sqaruar çfarë e lidh atë me miqësi familjare me një trafikant të rrezikshëm droge, që autoritetet italiane e kanë dënuar me 21 vjet burg, aq më shumë forcohet bindja për rolin e Taulant Ballës si sekser të miliona eurove që ia merr shqiptarëve për t’i ndarë me trafikantin e drogës”, tha Spaho.

  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb