TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Alban Zeneli ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë se po vijon me rehabilitim e personave me precedentë penalë, duke i vendosur në poste delikate. Zeneli ka ofruar si shembull të fundit, emërimin në njësinë Task-Force të OSHEE-së, sipas tij të një prej krerëve të një grupi kriminal, i dënuar disa herë për trafik droge. Ndërkohë që pak orë më vonë ka reaguar OSHEE, e cila ka deklaruar se personi për të cilin bëhet fjalë është larguar nga detyra më 15 janar për thyerje disipline.

“Nuk është rastësi që persona me precedentë të fortë penalë, rehatohen nga qeveria e Edi Ramës, në poste delikate, si OSHEE, e cila është në krye të represionit ndaj qytetarëve të pamundur, është në krye të favorizimeve politike, duke lënë të qetë debitorë me 205 milionë lekë vetëm pse pronari është deputet i mazhorancës, kësaj strukture që është në krye të abuzimit e korrupsionit. Florian Qafa është një emër i njohur për policinë dhe kronikën e zezë. Ai është ndaluar disa herë dhe dënuar për trafik lëndësh narkotike, pasi ka kryesuar një grup kriminal droge në zonën e “Ali Demit”, që shpërndante drogë edhe në shkolla”, deklaroi deputeti i PD-së.

Zeneli ka ofruar edhe vendimin e gjykatës që përmend dënimet e Qafës. “Ja ku kemi këtu vendimin e gjykatës që përmend dënimet e tij, kemi një numër të madh shkrimesh që janë bërë në media për arrestimin e tij dhe për aktivitetin e tij kriminal. Me Edi Ramën, erdhi koha që ky person të shpërblehet për angazhimin e tij, dhe sot është pjesë e task-forcës së OSHEE në Tiranë. Pra në krye të aksionit të ndëshkimit të qytetarëve të pamundur, dhe favorizimit të hajdutëve të mëdhenj të energjisë që janë sot pranë qeverisë”, ka thënë Alban Zeneli.

Ai ka vijuar më tej me akuzat e tij, duke thënë se po i njëjti person është angazhuar në fushatën e deputetit socialist Ditmir Bushati. Deputeti Zeneli, shtoi se Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë betejën me krimit dhe lidhjet e tij me politikën.

“Personi me precedent penalë, ka dhe një meritë tjerë për postin që ka marrë. Ai është angazhuar në fushatën e fundit zgjedhore, pranë shtabit të deputetit socialist, Ditmir Bushati, që sot është Ministër i Jashtëm. Për këtë inkriminim të administratës është e shqetësuar sot opozita, janë të shqetësuar mbarë qytetarët e vendit, por është e tronditur dhe Europa. Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë betejën me krimin dhe lidhjet e krimit me politikën. Kjo e keqe, e mbjellë në çdo cep nga Edi Rama, do të shkulet. Shqipëria nuk do të mbetet peng i aleancave kriminale”, ka përfunduar Zeneli.

OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sqaruar se, Florjan Qafa ka qenë i punësuar që prej dhjetorit 2013 në OSHEE por është larguar para 9 ditësh nga kjo detyrë për thyerje të disiplinës. Sipas OSHEE-së, procedurat për largimin e tij nga kjo detyrë, kanë filluar më 7 janar.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron opinion publik se, Florjan Qafa ka qenë në marrëdhënie pune sipas procedurave ligjore prej datës 28 dhjetor 2013, në pozicionin elektricist, sektori i Arkëtimeve, Drejtoria e Tiranës. Ai rezulton i larguar nga puna më datë 15 janar 2015, me motivacionin “Thyerje të disiplinës në punë, duke mos u paraqitur në vendin e punës, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa vënë në dijeni eprorin e drejtpërdrejt”. Fillimi i procedurës së largimit është më 07.01.2015, nr. 236/3 Prot. OSHE falënderon Partine Demokratike që vazhdimisht i bën me dije opinionit publik masat që operatori ndërmerr ndaj punonjësve që thyejnë disiplinën në punë apo nuk kanë performancën e kërkuar”, thuhet në njoftimin e OSHEE-së.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/01/Pjese-e-vendimit-te-Gjykates-ku-thuhet-se-i-emeruari-nga-qeveria-ne-OSHEE-ka-qene-i-denuar.doc” viewer=”microsoft”]

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: