PATOS– Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi turin e takimeve elektorale në qytetin e Patosit, ku u prit nga qindra mbështetës të PDIU-së. Ai shoqërohej nga deputeti i Fierit, Omer Mamo, kandidatja e ASHE-së për Bashkinë Patos, Rajmonda Balili, dhe nga hartuesit e programit elektoral të PDIU-së për pushtetin vendor.

Në fjalën e tij Idrizi u ndal në garën që po zhvillohet në një bashki tjetër, në atë të Konispolit, duke përshëndetur fjalimin e atyshëm të kryeministrit Rama. Ai bëri thirrje që vota më 21 qershor të jetë kundër përçarjes dhe pro bashkëjetesës, çka arrihet vetëm nëpërmjet votës për kandidatin e ASHE-së.

“Përshëndes kryeministrin Rama në një fjalim brilant në Konispol, i cili sot iu drejtua të gjithë qytetarëve që të jenë të gjithë bashkë e të kuptojnë se Konispoli nuk mund të jetë transferimi i konflikteve etniko-fetare siç ka qenë Himara. Por, Konispoli duhet të jetë vendi i bashkëjetesës myslimanë, ortodoksë e katolikë. Vendi i bashkëjetesës së minoritarëve, shqiptarëve të Çamërisë e të gjithë atyre që janë në shtëpitë e tyre në Konispol dhe denoncoj të gjithë ata që duan ta kthejnë Konispolin në vatër konfliktesh. Sepse, dua ta perifrazoj: në Konispol, minoritarët janë në shtëpinë e tyre, kurse ne të gjithë bashkë jemi në oborrin tonë, në oborrin e të gjithë shqiptarëve dhe shqiptarët e Çamërisë kanë respektuar dhe do të respektojnë gjatë gjithë jetës së tyre këdo. Mos votoni për përçarjen, por votoni për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, tha Idrizi.

Kryetari i PDIU-së theksoi se PDIU është një forcë përbashkuese për të gjithë shqiptarët. Ai bëri thirrje të votohet masivisht nr. 34, për të ngritur zërin kombëtar dhe për të zbatuar një program konkret dhe dinjitoz në bashkitë e reja të vendit.

“Ne jemi dhe do të qëndrojmë gjithmonë në shtëpinë tonë që quhet Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ne kemi qenë dhe do të jemi besnik të kauzave tona, të kauzave përbashkuese për të gjithë shqiptarët, sepse ne jemi të bindur që krenaria, identiteti kombëtar dhe besimi në Zot janë ato që e bëjnë çdo shqiptar të ndihet krenar dhe kjo nis nga respekti reciprok me njëri-tjetrin. Unë ju kërkoj të votoni nr. 34, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni djemtë dhe vajzat e duhura që ne nuk i ndajmë në çamë, mallakastriotë e fierakë, por i bashkojmë të gjithë si qytetarë të parë të Patosit, të cilët kanë detyrimin që të luftojnë t’i japin prosperitet ashtu siç e meritojnë këta njerëz. Vota juaj është fuqia juaj. Do të na japi mundësi që ne të çojmë në vend atë që themi sot. Na votoni që t’jua kthejmë me mbështetje për qytetarët e këtij vendi”, tha Idrizi.

PDIU kandidon në të gjitha bashkitë e Shqipërisë me lista shumëemërore për Këshillin Bashkiak, si edhe është dakordësuar me forcat e tjera të Aleancës për Shqipërinë Evropiane për kandidatët për kryetar bashkie.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: