Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vijuar edhe këtë të enjte aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë.
Prej disa ditësh, deputetët e PDK-së po zhvillojnë aksione para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive dhe zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës. Kjo parti ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po pengojnë funksionimin dhe konstituimin e institucioneve të vendit.
Edhe Aleanca ka kundërshtuar zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që Kosova të rikthehet sa më shpejt në funksionalitet të plotë institucional.
Aksionet e opozitës vijnë në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit vijon të jetë i bllokuar, duke shtuar përplasjet politike mes partive parlamentare.
