Partia Demokratike e Kosovës ka vijuar për të shtatën ditë radhazi aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Në aksionin e sotëm janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, ndërsa pjesë e protestës kanë qenë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.

Asamblistja e PDK-së në Lipjan, Yllëza Bedrolli, deklaroi se institucionet nuk duhet të mbahen të bllokuara dhe i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit të rikthehen në Kuvend për të vijuar procesin e formimit të institucioneve.

“Ne nuk mund të lejojmë që të bllokohen institucionet dhe të mbyllen dyert e një institucioni publik siç është Kuvendi”, tha Bedrolli, duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe interesit të Republikës.

Ndërkohë, ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, tha se partia do të vijojë kundërshtimin ndaj veprimeve të Kurtit. Ai paralajmëroi se zemërimi qytetar mund të rritet nëse situata politike vazhdon të mbetet e bllokuar.

“Ne jemi këtu për të shprehur fuqishëm kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të deputetit Albin Kurti”, u shpreh Demaku, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe rendit juridik.

Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e cilësoi aksionin si një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin qytetar dhe politik lidhur me situatën institucionale në vend.

Tahiri akuzoi Vetëvendosjen për shkelje të vazhdueshme kushtetuese dhe kritikoi përbërjen e kabinetit qeveritar, duke pretenduar se një pjesë e anëtarëve të tij po ushtrojnë funksione të dyfishta në kundërshtim me ligjin.

PDK ka paralajmëruar vijimin e aksionit edhe në ditët në vijim, ndërsa kriza institucionale në Kosovë vijon të mbetet pa një zgjidhje të qartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb