Një pedagoge e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës ka denoncuar nga protesta para Kryeministrisë dhunën ndaj të rinjve, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë për ndërhyrjet e policisë. Duke folur si nënë, pedagoge dhe ish-studente e vitit 1990, ajo tha për mikrofonin e News24 se pamjet e ditëve të fundit janë të turpshme. Pedagogia iu drejtua kryeministrit dhe autoriteteve të rendit me pyetjen se përse goditen persona që tashmë janë neutralizuar.
Ajo kërkoi gjithashtu që policia të bëjë publik llojin e gazit të përdorur gjatë protestave dhe ngriti shqetësimin për pasojat e mundshme në shëndetin e qytetarëve. Në përfundim, i bëri thirrje kryeministrit të distancohet nga gjuha fyese ndaj të rinjve.
“Ju falënderoj si televizion për realitetin që pasqyroni nga kjo protestë. Unë sot këtu ju falënderoj personalisht juve dhe stafin. Jam këtu si nënë dhe pedagoge e Universitetit të Tiranës, një ish-studente e ’90-s. As në ’90 s’e kemi parë dhunën që u ushtrua ndaj të rinjve në këto ditë. Çfarë kanë parë sytë tanë me fëmijët tanë është e turpshme. Duhet të distancohemi nga dhuna.
Dhuna nuk ishte profesionale. Zoti kryeministër, ose ministri i Brendshëm, në këtë leksion e keni mësuar se, kur një person është i neutralizuar, me ç’të drejtë i bini, i thyeni kockat? A duhet të jemi ne si prindër të qetë me adoleshentët? Jam kimiste. Studentët tanë janë qytetarë, janë të qetë. Si mundeni të merreni kështu me fëmijët? E ka në rregullat e veta policia që të ndajë pjesën ekstremiste në protestë, se unë jam kundër dhunës. Jam e indinjuar, se policia ka 10 kimistë që paguhen nga taksat. A ka mundësi të dalësh me deklaratë zyrtare: çfarë gazi ke hedhur, çfarë ndotjeje të ambientit ke shkaktuar? Nuk është momenti i sotëm, por pasojat që lë në organizmin e njeriut, te popullata. E gjithë Tirana është e kontaminuar. Nuk punohet kështu me fëmijët. Është e turpshme! Si mundet, zotëri, të kontaminosh me gaz kaq të rrezikshëm fëmijët tanë?!
Zoti ministër, që vjen nga radhët e studentëve dhe sot je kundër tyre, nga kush i merr lekët ti? Zoti kryeministër, distancohu nga fjalët e këqija. Jazëk ju qoftë që na i trajtoni fëmijët kështu, na i detyroni të ikin nga Shqipëria. Ne po detyrohemi të ofrojmë trurin për Europën. Ballë për ballë, hajde e flasim bashkë. Ke qenë pedagog në atë kohë dhe ke qenë më rebel se këta sot. Sot rinia jonë po tregon qytetari”, u shpreh pedagogia.
