Toka private në arkipelagun norvegjez të Svalbardit po nxirret në ankand nga pronari i saj dhe ka ngjallur interes të madh tel blerësit kinezë, sipas një avokati përgjegjës për ankandin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Wilkins, shitja e kësaj toke ka të ngjarë të shkaktojë një situatë të vështirë gjeopolitike për Norvegjinë dhe NATO-n për shkak të vendndodhjes strategjike të Svalbardit në Oqeanin Arktik.

Arkipelagu i Svalbardit shtrihet rreth 650 kilometra larg Norvegjisë në një pikë të ndjeshme gjeopolitike të Arktikut.

Një traktat ndërkombëtar i jep Svalbardit një strukturë ligjore të pazakontë që ndalon shumicën e aktiviteteve ushtarake. Por në vitet e fundit, kjo nuk i ka penguar vendet si Rusia dhe Norvegjia të vazhdojnë me planet e tyre strategjike.

Tani edhe Kina mund të bëhet pjesë e kësaj konkurrence, sepse në fillim të majit një pronar privat nxori në treg një sipërfaqe prej 60 kilometrash katrorë për 326 milionë dollarë. Avokati përgjegjës për shitjen, Per Kyllingstad, thotë se ka “interes konkret” nga blerës kinezë.

Analistët thonë se Norvegjia nuk do ta mbështeste shitjen e kësaj toke tek një blerës kinez. Norvegjia ka thënë se shitja kërkon miratimin e saj. Por, avokati Kyllingstad e mohon këtë.

“100% jo korrekte. Ne kemi marrë një opinion ligjor nga një prej firmave më të mëdha ligjore në Oslo për këtë, dhe kjo çështje është absolutisht e qartë.”

Ministri Norvegjez i Tregtisë, Industrisë dhe Peshkimit i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate me email se “Ne nuk jemi dakord me avokatin përgjegjës për shitjen. Gjithashtu nuk ka asnjë leje për të filluar negociatat në lidhje me transferimin e pronës pa pëlqimin e Ministrisë norvegjeze të Tregtisë, Industrisë dhe Peshkimit”.

Por, zoti Kyllingstad thotë se ai do të vazhdojë me procesin e ankandit.

Një analist shpjegoi për Zërin e Amerikës arsyet për mundësinë e një ndërhyrjeje nga qeveria norvegjeze në procesin e shitjes së kësaj toke.

“Arktiku po merr shumë më tepër vëmendje ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Ka shumë shqetësime se tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë mund të përhapen edhe në zonën e Arktikut. Kështu që koha e shitjes së kësaj toke është delikate”, thotë Marc Lanteigne nga Universiteti Arktik i Norvegjisë.

Analistët thonë se Kina është e interesuar të ketë qasje në burimet natyrore të pashfrytëzuara në Arktik dhe pozicionimin e favorshëm ushtarak në rrugët e reja detare të krijuara nga shkrirja e akullit.

“Kina ka bërë shumë përpjekje për të theksuar se nuk ka synime ushtarake në Arktik dhe se ajo ka një prani shumë të vogël ushtarake në Arktik. Kina është angazhuar ushtarakisht në Arktik vetëm një herë në bashkëpunim me Rusinë”, thotë eksperti Marc Lanteigne.

Disa ekspertë kanë theksuar se toka që është nxjerrë në shitje në Svalbard është shpallur park kombëtar. Operimi i mjeteve motorike mund të jetë i paligjshëm, kështu që shfrytëzimi i kësaj toke nga blerësit mund të jetë problematik, përveç kërkimeve shkencore.

Por zoti Kyllingstad thotë se blerësit janë të përqendruar në përfitimet afatgjata të kësaj toke.

“Ata po e shikojnë këtë si një investim afatgjatë, si një mundësi për të gjetur një terren në Arktik dhe ndoshta jo si diçka ku mund të investohet tani, por si mundësinë e vetme për blerë tokë në 10 deri 100 vitet e ardhshme në të ashtuquajturin Arktik i Lartë.”

Zoti Kyllingstad thotë se shitësi, për të cilin mediat lokale thonë se është një kompani në pronësi të një norvegjezi me origjinë ruse, nuk është i shqetësuar për shitjen tokës tek vendet si Kina, ku ka shkelje të të drejtave të njeriut. Ai vuri në dukje se edhe filantropët mund të blejnë tokën.

Por në fund, tha zoti Kyllingstad, toka do t’i shitet atij që ofron shumën më të lartë./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb