Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me hetimet e SPAK për kompaninë shtetërore “KAYO”, ku sipas informacioneve të bëra publike janë ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani, përfshirë edhe vilën e Ron Yeffet.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi akuzon mazhorancën se po shmang diskutimin në Kuvend për kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së “KAYO”.
Sipas tij, opozita e ka kërkuar prej më shumë se tre javësh ngritjen e këtij komisioni, ndërsa mazhoranca nuk ka dhënë dakordësinë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më 17 shtator 2026.
Bardhi pretendon se, pas shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve, ligji parashikon që çështja të kalojë për diskutim në seancë plenare brenda 15 ditësh. Ai thotë se, me dakordësinë e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ishte vendosur që kërkesa të shqyrtohej në seancën e 5 tetorit, ditën e fundit të afatit.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, mazhoranca tashmë po tenton ta shtyjë diskutimin, pikërisht në një moment kur SPAK ka nisur kontrolle në kuadër të hetimeve për “KAYO”.
“Është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë ‘KAYO’ sh.a., dhe Kuvendi duhet t’i shmanget kësaj teme këtë të hënë”, shkruan Bardhi.
Ai e akuzon kryetarin e Kuvendit se po shmang një çështje me interes publik dhe nuk po respekton, sipas tij, detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës së opozitës për Komision Hetimor.
Bardhi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi rolin e opozitës në Parlament dhe funksionimin demokratik të institucioneve, duke kërkuar që të garantohen të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare.
Në fund, kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon nga Niko Peleshi që të zbatojë ligjin dhe të mos veprojë, sipas tij, në funksion të interesave politike të mazhorancës.
“Kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë zbatues i vullneteve politike të mazhorancës, por garant i funksionimit të rregullt të institucionit që drejton”, shprehet Bardhi, duke akuzuar Peleshin se po zbaton urdhra politikë të Taulant Ballës dhe Edi Ramës.
Reagimi:
Për më shumë se tre javë, opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së kompanisë shtetërore “KAYO”. Mazhoranca nuk dha dakordësinë për ngritjen e këtij Komisioni në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator 2026.
Ligji përcakton se, pas shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve, çështja duhet të kalojë për diskutim në seancë plenare jo më vonë se 15 ditë. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u vendos, me dakordësinë e Niko Peleshit, që kjo çështje të shqyrtohej në seancë plenare më 5 tetor 2026 — pikërisht ditën e fundit të afatit.
Por edhe këtu, mazhoranca zgjedh ta shtyjë diskutimin, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme.
Kjo për shkak se, është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë “KAYO” sh.a., dhe Kuvendi duhet t’I shmanget kesaj teme këtë të hënë.
Në fakt, në këtë moment, kur transparenca parlamentare do të duhej të ishte më e madhe se kurrë, Kryetari i Kuvendit zgjedh të shmangë një çështje me rëndësi publike dhe, të mos respektojë detyrimet ligjore që lidhen me shqyrtimin e kërkesës për Komision Hetimor.
Kur Kryetari i Kuvendit zgjedh që, përballë një çështjeje me interes të lartë publik, të mos zbatojë detyrimet që burojnë nga ligji, lind një pyetje themelore: si garantohet funksionimi demokratik i institucioneve?
Kur në Kuvendin e Shqipërisë injorohen të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare, lind një tjetër pyetje: cili është realisht roli i opozitës në Parlament?
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dënoj me forcë shkeljen e ligjit nga Kryetari i Kuvendit dhe i kërkoj të zbatojë ligjin dhe të garantojë të drejtat kushtetuese të opozitës.
Kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë zbatues i vullneteve politike të mazhorancës, por garant i funksionimit të rregullt të institucionit që drejton. Niko Peleshi, duhet të dijë, që nga përgjegjësia personale e shpëton respekti ndaj ligjit, dhe jo zbatimi i urdhrave të verbër të Taulant Ballës apo Edi Ramës, për kalkulime ditore politike.
