Policia e Shtetit ka finalizuar sot operacionin policor të koduar “Starova”, që çoi nëpranga tre persona, mes tyre përgjegjësi i departamentit të drejtësisë në Fakultetin e Shkencave politike e juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës si dhe u ekzekutuan masat “Arrest në shtëpi” për një gjyqtare dhe një avokat.

Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Korçë, nën drejtimin e SPAK-ut.
Vihen në pranga 5 shtetas
Drejtoria Hetimore Qendrore, pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e SPAK-ut, finalizoni operacionin policor të koduar “Starova”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit:

Arben Cara, banues në Tiranë, me detyrë dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, i cili u arrestua për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (bashkëshorti i gjyqtares);

Nejton Bali banues në Sauk, Tiranë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (vëllai i të dënuarit që iu ndryshua masa e sigurisë).

Klaudjo Zhilla, banues në Korçë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (pronari i hotelit ku iu dorëzua shuma e eurove bashkëshortit të gjyqtares).

Gjithashtu u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

Mimoza Margjeka, banuese në Tiranë, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Skënder Demiraj, banues në Tiranë, avokat në Dhomën e Avokatisë në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë ligjore për një rast të korrupsionit gjyqësor, referoi materialet në SPAK, për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionareve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasi i gjyqtarëve , prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Mbi bazën e materialeve të referuara SPAK regjistroi procedimin penal dhe si rezultat i hetimeve u arrit të dokumentohej një rast korruptiv në gjyqësor.

Gjyqtarja Mimoza Margjeka, duke abuzuar me detyrën, kundrejt përfitimit të 6 mijë eurove, ka bërë ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit Korçë për të arrestuarin O. B., i arrestuar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, nga “Arrest në burg” në garanci pasurore 500.000 lekë.

Shtetasi Nejton Bali, banues në Sauk, vëllai i të arrestuarit kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllain e tij shtetasin O. B., avokatin Skënder Demiraj, i Dhomës së Avokatisë Tiranë, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.

Klaudjo Zhilla, mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në garanci pasurore, masë e cila ishte vendosur nga Gjykata e Apelit për të arrestuarin O. B.

Drejtoria Hetimore Qendrore, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rast korruptiv.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: