Gazetari Poli Hoxha ka ngritur akuza të forta ndaj drejtimit të Prokurorisë së Posaçme, duke komentuar trajtimin e çështjes së Belinda Ballukut dhe kërkesën për heqjen e imunitetit të saj. I ftuar në emisionin “Prime News24”, Hoxha deklaroi se vendimmarrja për këtë çështje po krijon pikëpyetje të mëdha mbi standardet e ndjekura nga SPAK në hetimin e zyrtarëve të lartë.

Sipas gazetarit, protesta që po zhvillohet prej muajsh ka në thelb kundërshtimin e një klase politike të perceptuar si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Ai theksoi se pikërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy fushat kryesore për të cilat është krijuar SPAK.

Hoxha solli në vëmendje edhe protestat dhe thirrjet kundër Belinda Ballukut, duke kujtuar se çështja e saj është ndjekur nga Prokuroria e Posaçme. Sipas tij, në një moment, politika mori në mbrojtje vetveten, ndërsa drejtuesi i SPAK u paraqit në Parlament për të diskutuar kërkesën për imunitetin e Ballukut.

Gazetari pretendoi se fillimisht diskutimi publik u përqendrua te dyshimet për shkelje në tendera, ndërsa më vonë SPAK njoftoi se hetimet ndaj Ballukut përfshinin edhe vepra më të rënda. Ai iu referua gjithashtu deklaratës së drejtuesit të SPAK, sipas së cilës, nëse hetimet do të kalonin në akuza për korrupsion, do të bëhej një kërkesë tjetër për masë sigurie.

“Normalisht, teknikisht nuk e kanë çuar kërkesën. Në SPAK ka një revoltë. Çfarë po ndodh? Ky është një vendim politik”, u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se e ka mbrojtur më parë punën e SPAK, por sipas tij, mënyra se si po trajtohet çështja e Ballukut rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e institucionit dhe standardet e vendosura nga prokurorët në çështje të tjera.

“Unë e kam mbrojtur SPAK, por në këtë fazë dhe me mënyrën se si po zien shoqëria, po bëjnë një gjë shumë të rëndë dhe të shëmtuar. Rrezikojnë komplet standardet e mëparshme të SPAK”, deklaroi gazetari.

Hoxha argumentoi se, nëse krahasohen akuzat dhe masat e kërkuara ndaj figurave të tjera politike, çështja e Ballukut ngre pikëpyetje për mënyrën se si zbatohet i njëjti standard ligjor. Ai përmendi edhe zyrtarë të tjerë që, sipas tij, janë përballur me masa sigurie, përfshirë Evis Berberin dhe drejtues të tjerë institucionalë.

“SPAK ka kërkuar masa për vartësit e Ballukut, e kanë çuar Evis Berberin në burg, drejtorin që pasoi atë e kanë çuar në masë arresti, edhe drejtorin e KESH-it, por kur vjen puna te shefja, me çantat e saj të shtrenjta, duhet të shkojë atje”, u shpreh Hoxha.

Sipas gazetarit, çështja e precedentit është thelbësore, pasi vendimmarrja në rastin Balluku mund të ndikojë në mënyrën se si do të trajtohen raste të tjera të ngjashme. Ai argumentoi se një standard i ndryshëm për zyrtarët e lartë do të vinte në pikëpyetje punën e prokurorëve që kanë kërkuar masa më të rënda në çështje të tjera.

“Protesta prej katër muajsh ka si thelb kastën e korruptuar politike. Rezulton se kjo kastë është edhe e lidhur me krimin e organizuar. Për këto është SPAK-u: për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kemi parë që nga protesta shënjestrohen politikanët e perceptuar si të korruptuar. Kemi parë Ballukun, parullat për Ballukun dhe SPAK-u ka ndjekur rastin e saj. Politika e korruptuar mori në mbrojtje vetveten.

SPAK-u shkoi në Parlament dhe ky kryetar aktual mbajti një fjalim para Komisionit të Mandateve, ku tha se kërkohej imuniteti i Ballukut. Tha edhe që po hetohej për shantazhimin e dëshmitarëve. Në fillim ishte vetëm çështja e pabarazisë në tendera. Kaloi kjo dhe, në kulmin e protestës, nxorën një njoftim ku thanë se Balluku po hetohej edhe për vepra më të rënda.

Kur foli përsëri, kreu i SPAK-ut, Braho, tha se, nëse hetimet kalojnë te korrupsioni, do të bëjnë një kërkesë tjetër për masë arresti. Normalisht, teknikisht, nuk e kanë çuar kërkesën. Në SPAK ka një revoltë. Çfarë po ndodh? Ky është një vendim politik.

Unë e kam mbrojtur SPAK-un, por në këtë fazë, me mënyrën se si po zien shoqëria, po bëjnë një gjë shumë të rëndë dhe të shëmtuar. Rrezikojnë komplet standardet e mëparshme të SPAK-ut.

Po të jetë për akuzat dhe masat që janë marrë për figura të politikës, të gjitha janë më pak se akuzat për zonjën Balluku. Rrëzohet puna e të gjithë prokurorëve që kanë kërkuar masë arresti për më pak akuza. Standardi po rrëzon standardin.

Çuarja në Parlament e kërkesës për imunitetin e Ballukut është përgjegjësi e drejtuesit të SPAK-ut. SPAK-u ka kërkuar masa për vartësit e Ballukut. E kanë çuar Evis Berberin në burg, drejtorin që pasoi atë e kanë çuar në masë arresti, edhe drejtorin e KESH-it, por kur vjen puna te shefja, me çantat e saj të shtrenjta, duhet të shkojë atje.

Çështja e precedentit është e rëndë. Arsyeja, besoj, është vetëm ndërhyrje e fortë politike! Me atmosferën që është krijuar nga protesta, duhet të ishte më e lehtë për ta çuar kërkesën.

Për rastin Balluku, drejtuesi i SPAK-ut po bie erë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb