Profesor Vaskë Kolaci është një njeri i kulturuar dhe biseda me të është gjithmonë shumë e veçantë. Kontributet e tij në ngritjen e konsolidimin e shkollës së muzikës në Korçë janë shumë të çmuara.

Profesori ka punuar për shumë vite që në themelimin e saj, që gjithçka të orientohej për nga cilësia.
Natyrshëm, shkolla ka zënë vend në bisedat tona.

Si ish nxënës i shkollës së muzikës “Tefta Tashko Koço”, kam ndjeshmëri e kujtime personale për të. Por kjo nuk është arsyeja pse i dedikoj këtë shkrim. Atë që mendoj po e them më poshtë.

Krijimi i shkollës së muzikës për violinë dhe pianoforte, daton 70 vite më parë. Disa nga mësuesit e kësaj shkolle emblematike të qytetit tonë në vitet e para ishin emra të nderuar si profesor Vaska, Oresti Miço, Ilkë Bimbli, Besa Malka, Lefkothe Zeqo, Anesti Koçiu, Rikard Jorganxhi, Jolanda Ziçishti, Vasilika Terezi, Marjana Byzyka, Vasilika Cavali, Katina Kondi, Afërdita Petro, Jorgaq Nano, Viktor Çani, Zana Spahiu, Kostaq Vrame, Themistokli Dhrami, Zhaneta Stamulli, Andromaqi Koroveshi, Fatime Barmashi, Tatjana Gëdeshi, Lida Kotelli, Ilo Evro, Tasi Poda, Vangjel Borova, Josif Minga, Nadjezhda Jole, Kostika Tanto, Shpresa Karanxha, Artan Zhuri, Pandi Bello e shumë të tjerë në vazhdim.

Historia e kësaj shkolle ka filluar me vetëm një piano e një violinë, rreth viteve ’55-’56. Më pas shkolla pati orkestrën e saj simfonike, e cila u krijua falë iniciativës së profesor Vaskës. Në vitin 1969 ajo mori pjesë në konkursin kombëtar të orkestrave simfonike të rretheve, ku u vlerësua me çmimin e parë.

Stafi do rritej më vonë nga nxënësit e kësaj shkolle që konkurruan e fituan të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve në Tiranë. Padyshim, mes tyre kujtoj në veçanti ish-mësuesen time të pianos Anita Vezuli e të tjerë mësues si Ilda Skëndi, Piro Tome, Ilir Zguri, Grigor Çani, Entela Kotelli, Paola Kondakçi dhe të gjithë ata që kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë shkollë.

Të gjithë kanë vlerësimin e qytetarëve korçarë dhe veçanërisht të ish-nxënësve të tyre.
Në këtë rrugëtim të shkollës janë formuar artistë që kanë kontribuuar në rritjen e kulturës artistike e asaj muzikore veçanërisht, por edhe në organizimin dhe zgjerimin e aktivitetit mësimor të shkollës. Kështu ata kanë ngritur e konsoliduar programet e pianos, violinës, violonçelit, kontrabasit, kantos, fizarmonikës, flautit, klarinetës, kitarës, mandolinës apo veglave popullore, pa harruar edhe artet figurative.
Kjo traditë e pasur e formuar në një kohë relativisht të shkurtër, a nuk meriton një vëmendje prioritare për ta rikthyer atë në shkëlqimin e vet?!

A mundet që ky institucion i veçantë të përfshihet në një projekt, ndoshta të ngjashëm, me vlerësimin që mori Liceu Franko-Shqiptar?!
E pas këtyre, nëse Korça e ka një shkollë muzike me një standart të konfirmuar në nivel kombëtar, a mund të kthehet ajo në një shkollë preferenciale për të rinjtë (jo vetëm nga Korça), që zgjedhin të ndjekin rrugën e formimit artistik?!

Një projekt i tillë krijon shanse edhe për rritjen e mëtejshme të cilësisë brenda stafit pedagogjik, për t’iu përgjigjur edhe më mirë kërkesave të një standarti të ri.
Një shkollë e ngritur mbi koncepte e kushte bashkëkohore, krijon hapësira bashkëpunimi dhe konkurrimi, në nivel kombëtar, rajonal edhe më gjerë.
Nevoja e shoqërisë për kulturë artistike do të vazhdojë përjetësisht. Megjithë ndonjë luhatje nga situatat, Korça e ka shfaqur vazhdimisht këtë nevojë dhe e ka plotësuar më mirë se shumë të tjerë.

Përveç kësaj, ajo ka qenë e aftë edhe të eksportojë jo pa sukses, kulturë përmes individësh që kanë qenë ose vijojnë të jenë, personalitete të fushës së tyre.
Shembujt këtu i dimë të gjithë. Unë do të sillja në vëmendje ish nxënësin e shkollës së muzikës, Edison Pashko, i cili prej vitesh është pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vienës, duke përfaqësuar në një farë mënyre atë që thamë më sipër, domethënë standartin e arritur nga kjo shkollë në përgatitjen e artistëve.
Ndaj, përpjekja për ta ridimensionuar shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koço”, me një projekt shumë serioz që i jep vlerë qytetit tonë, duhet të na bashkojë si interes i përbashkët. Ndryshe, edhe në këtë fushë do vijojmë të ankohemi për numrin e nxënësve, duke zvogëluar njëkohësisht edhe shpresën për breza të rinj artistësh e muzikantësh.

Mendoj se kjo ide mund të përfshijë në diskutim njohësit më të mirë të fushës, qytetarë të interesuar dhe autoritetet vendimmarrëse.
Sepse Korça e meriton që shkolla e saj artistike, të ketë nivelin më të lartë.
Për më shumë identitet, gjallëri, kulturë e shkëlqim nesër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb