9 maji, Dita e Europës që lidhet me nënshkrimin e Deklaratës së 9 majit në 1950, konsiderohet hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Europian.
Ministri i Jashtëm i Francës i kohës, Robert Shuman, iu bëri thirrje vendeve të Europës për të krijuar një aleancë ekonomike, fillimisht të qymyrit e çelikut. Ishte premisa themelore e një “Federate të ardhshme Evropiane”, që sot ka institucionet e saj të konsoliduara dhe 27 shtete anëtare.
Shqipëria aspiron që brenda vitit 2030 të jetë anëtarja më e re. Ky moment do të mbërrijë kur të përmbyllen negociatat e 33 kapitujve, tashmë të hapura në një kohë rekord dhe pas ratifikimit të Traktatit të Aderimit të Shqipërisë në BE nga parlamentet e 27 shteteve.
Por cili është kuptimi për realitetet tona lokale i procesit të integrimit dhe atij pas aderimit në BE?!
Si shembull po zgjedh realitetin e qytetit tonë.
“Yjet” e Korçës kanë ekzistuar gjithmonë. Ato janë historia, kultura, tradita dhe sharmi i qytetarisë korçare. Qysh atëherë kur përkatësia europiane nuk ishte “status” brenda një federate shtetesh, por botëkuptim dhe stil jete.
Që një shekull më parë edhe pse në kushtet e një Shqipërie post-otomane, Korça dhe treva e saj shkëlqeu me rrezet e para të emancipimit të saj shoqëror dhe Rilindjes Kombëtare. Edhe kur zymtësia e diktuar prej varfërisë ekonomike të kohës e bënte realitetin të ngjante shumë pak premtues, komuniteti dhe qytetaria e saj diti të hedhë hapa të sigurt të forcimit të identitetit kombëtar dhe zhvillimit shoqëror.
Objektivi për integrimin e vendit në BE nuk duhet parë thjesht si manifest politik me slogane teorike. Ai duhet parë si një platformë konkrete dhe teknike e zhvillimit të përgjithshëm me standarte europiane në sektorë të ndryshëm të jetës e dinamikës ekonomike të gjithë rajonit.
Nuk na duhet të shpikim. Yjet autoktone të çdo realiteti sado të vogël, janë shtrati ku mund të mbështetemi për progres më të shpejtë e të prekshëm.
Na duhet shumë punë e një mendësi bashkëkohore për fuqizimin e ekonomisë lokale, përmirësimin e arsimit, kujdesit shëndetësor, promovimin dhe pasurimin e kulturës sonë apo investimin për sportet. Të gjitha i shërbejnë mirëqënies së komunitetit.
Korça është shquar gjithmonë për urat që ka krijuar me realitete të huaja, falë spikatjes së komunitetit të saj të shquar në diasporë. Ne mund të bëjmë më shumë për ta kthyer Korçën në një oaz të multikulturalizmit, ku pse jo, të mos organizohen çdo vit “Ditë të Kulturës” së kombeve të ndryshme.
Natyrisht, kjo kërkon së pari një projekt e punë identifikuese për të jetësuar ide dhe pikëtakime tërheqëse e nxitëse për shkëmbime mes kulturave të ndryshme.
Asgjë nuk na pengon t’i ofrojmë qytetit tonë një dimension me shije kozmopolite e multikulturaliste, që promovon mikpritje të gërshetuar me aktivitete përbashkuese me komunitete të huaja në art, kulturë, inovacion, trajnime profesionale e shembuj inspirues të sipërmarrjeve, të cilat edhe mund të huazohen tek ne si premisa të reja për zhvillim lokal.
Korça e frankofonisë siç shpesh i referohen, pse të mos ishte në ditë të caktuara të vitit Korça e ditës angleze, spanjolle, gjermane, greke, polake, holandeze, kroate, maqedonase, suedeze, sllovene, portugeze, norvegjeze, bullgare, italiane apo e të 27 vendeve anëtare. Mund të përcaktonim e ndërtonim simbolikisht në qytet ndoshta edhe një “shesh multikulturor” si shprehje e kulturës tonë të mikpritjes pa dallime kombësie.
Le të ishte organizimi i ditëve të tilla i frymëzuar nga ide jo detyrimisht të lidhura drejtpërdrejt me rrënjët e historisë tonë. Do të mjaftonte vullneti si korçarë e qytetarë të Europës, për të “shpikur” fabula qoftë edhe një ditore. Natyrisht, në bashkëpunim me përfaqësitë e huaja diplomatike në vendin tonë, si arsye të krijuara nga vetë ne, për të mirëpritur vizitorë nga Europa e jo vetëm. Për të shkëmbyer më shumë kulturë dhe shijuar më shumë atmosferë kozmopolite në mesin tonë.
Me siguri kjo do ta bënte Korçën më të njohur ndërkombëtarisht e për rrjedhojë do të afronte më shumë vizitorë të huaj që ta njohin dhe shijojnë atë si realitet.
Sepse Europa nuk është vetëm një bashkim shtetesh, por edhe një bashkim vlerash dhe Korça, me yjet e saj të kulturës, qytetarisë dhe shpirtit europian, ka qenë gjithmonë pjesë e këtij qielli.
