Beteja politike në Elbasan për zgjedhjet e 25 prillit ka filluar prej javësh. Partia Socialiste, ajo demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zbritur në terren për të bindur qytetarët që të besojnë në alternativën e tyre. Elbasani është një qark, që përgjithësisht voton majtas, dhe rezultati më i mirë që kanë arritur demokratët është ai i vitit 2009, kur i pari i listës ishte kandidati për kryeministër Lulzim Basha. Atë vit 14 mandatet e Elbasanit u ndanë në 7 PS dhe 7 PD.

Edhe pse jemi rreth dy muaj larg ditës së zgjedhjeve, drejtuesit politikë të qarqeve zhvillojnë për ditë takime me qytetarët. Taulant Balla, shprehet i bindur që qarku i Elbasanit nuk do të heqë dorë nga vota për Partinë Socialiste, sepse sipas tij, projektet që do të zbatohen do ta kthejnë Elbasanin në një zonë, mjaft të rëndësishme për vendin.

Ndërsa Gazment Bardhi, teksa zhvillon takime me qytetarë të qarkut të Elbasanit, e kryesisht me të rinj, vendos theksin të programi dhe alternativa që PD ka publikuar, si një angazhim serioz e që sipas tij do t’i kthejë faqen Shqipërisë.

Taulant Balla beson se qytetarët e qarkut të Elbasanit do të vlerësojnë punët e bëra deri më tani nga PS, ndërsa Gazment Bardhi thotë se ky qark është kthyer ndër më të varfrit në vend, si pasojë e qeverisjes së keqe të socialistëve. Por cilat janë planet që kanë PD e PS për Elbasanin?

Numrat 2 të PS e PD komentojnë edhe pikat e forta e të dobëta të kundërshtarit politik.

Partia Demokratike në vitin zgjedhjet e vitit 2017-të ka marrë në qarkun e Elbasanit, rezultatin më të dobët, rreth 34 mijë vota. Sekretari i Përgjithshëm i PD, thotë se rezultati i 25 prillit do të jetë ndryshe për opozitën e bashkuar në këtë qark. Nga ana tjetër edhe Taulant Balla shprehet entuziast se PS do të rritet edhe më shumë nga zgjedhjet e kaluara.

Kundërshtarët politikë flasin edhe për atë se çfarë ka ndryshuar në Shqipëri që prej 2013-s, e deri më tani. Balla dhe Bardhi komentojnë edhe programet e premtimet elektorale të kampit kundërshtar.

Si e vlerësojnë njëri tjetrin Taulant Balla dhe Gazment Bardhi, teksa gjenden përballë në betejën për të fituar Elbasanin?
Qarku i Elbasanit premton betejë të fortë politike mes opozitës së Bashkuar dhe Partisë Socialiste. 6 qytetet në këtë qark janë mjaft të rëndësishëm për partitë politike, pasi do të përcaktojnë 14 mandate, të cilat ndikojnë shumë në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve dhe atij që do të ulet në karrigen e Kryeministrit 4 vitet e ardhshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb