Gratë janë ende të nën-përfaqësuara në politikën amerikane, por në zgjedhjet më 3 nëntor, ato mund të arrijnë disa fitore historike në Kongres dhe në garat për guvernatore.
Gratë përbëjnë rreth 51 përqind të popullsisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, kjo nuk pasqyrohet në përbërjen e Kongresit, ku ato zënë vetëm 28,4 përqind të vendeve. Pavarësisht kësaj, ky është numri më i lartë i grave që kanë shërbyer ndonjëherë në legjislaturën amerikane.
Aktualisht, 152 gra janë anëtare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Edhe në nivelin e guvernatorëve të shteteve federale, përfaqësimi i grave ka arritur nivelin më të lartë deri më sot: nga 50 guvernatorë, 14 janë gra, ose 28 për qind.
Ka shumë arsye pse gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në Kongres. “Disa prej tyre janë të natyrës strukturore. Kemi rregulla dhe procese që e bëjnë të vështirë hyrjen e kandidatëve të rinj në politikë”, tha për DW Kelly Dittmar, drejtoreshë e kërkimeve në Qendrën për Gratë dhe Politikën Amerikane (CAWP) në Universitetin Rutgers. “Dhe historikisht, gratë kanë qenë pikërisht ato kandidate të reja.”
Një vend në Senat lirohet vetëm çdo gjashtë vjet, ndërsa anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk kanë kufizim mandatesh dhe teorikisht mund të qëndrojnë në detyrë për dekada. Për më tepër, thekson Dittmar, zhvillimi i një fushate zgjedhore në SHBA është jashtëzakonisht i kushtueshëm, ndërsa gratë tradicionalisht kanë pasur më pak qasje në rrjetet e donatorëve të pasur, të cilët, ashtu si shumë drejtues politikë, janë kryesisht burra.
Udhëheqësit politikë meshkuj kanë gjithashtu më shumë gjasa të rekrutojnë burra sesa gra si kandidatë të rinj. Rol luajnë edhe stereotipet shoqërore. “Ekzistojnë stereotipe për atë që gratë mund ose duhet të bëjnë”, thotë Dittmar.
Votuesit do të vendosin më 3 nëntor nëse pas zgjedhjeve do të ketë më shumë apo më pak gra në Kongres. Në këto zgjedhje do të zgjidhen të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga gjithsej 100 vendet në Senat. Në 36 shtete federale, qytetarët do të zgjedhin gjithashtu guvernatorët e tyre.
Dhoma e Përfaqësuesve: Tri herë më shumë gra demokrate sesa republikane
Nga 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, 125 janë gra. Ashtu si në Senat dhe në postet e guvernatorëve, përfaqësimi gjinor nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet dy partive kryesore. Demokratët kanë dukshëm më shumë gra se republikanët. Aktualisht, në Kongres ka 95 gra demokrate dhe 30 republikane.
“Tek republikanët, mbështetja për kandidatet femra është dukshëm më e dobët”, thotë Dittmar. Organizatat që i inkurajojnë gratë të kandidojnë dhe i ndihmojnë ato të përgatiten për politikë janë kryesisht të lidhura me demokratët ose janë jopartiake. Po ashtu, udhëheqja republikane nuk ndjen të njëjtin presion nga elektorati për të rekrutuar më shumë gra. Demokratët i kushtojnë më shumë rëndësi diversitetit dhe votuesit e tyre kanë më shumë gjasa të dëshirojnë një përfaqësim më të madh të grave.
Republikanët aktualisht mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, për rrjedhojë, edhe postin e Kryetarit të Dhomës. Këtë detyrë e ushtron Mike Johnson. Vetëm një grua në historinë e SHBA-së e ka mbajtur këtë post: demokratja Nancy Pelosi, e cila ishte kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve nga viti 2007 deri më 2011 dhe sërish nga viti 2019 deri më 2023.
Senati: Pengesa edhe më të mëdha për gratë
Gratë zënë 27 përqind të vendeve në Senatin amerikan. Midis tyre janë 16 demokrate dhe 11 republikane. Çdo shtet federal përfaqësohet nga dy senatorë.
Për shkak se mandatet në Senat zgjasin më shumë dhe senatorët përfaqësojnë një numër shumë më të madh qytetarësh sesa anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, është edhe më e vështirë për gratë të fitojnë një vend në këtë institucion, sipas Dittmar.
“Është çështje mundësie dhe kohe”, thotë ajo. Një vend në Senat hapet vetëm çdo gjashtë vjet, ekzistojnë vetëm 100 vende dhe pak më shumë se një e treta e tyre zgjidhen çdo dy vjet. Kjo lë pak mundësi për gratë që ende nuk kanë shërbyer si senatore.
Përveç kësaj, një fushatë për Senatin në nivel kombëtar kushton shumë më tepër sesa një garë për Dhomën e Përfaqësuesve. Sipas analizave të CAWP, kandidatet femra posedojnë më pak pasuri personale sesa homologët e tyre meshkuj.
Një nga kandidaturat që mund të hyjë në histori është ajo e demokratës Peggy Flanagan. Nëse ajo fiton në Minesota, do të bëhet gruaja e parë autoktone amerikane e zgjedhur në Senatin e SHBA-së. Flanagan i përket popullit Ojibwe, i njohur edhe si Chippewa, një nga popujt indigjenë që tradicionalisht kanë jetuar në rajonin e Liqeneve të Mëdha në SHBA dhe Kanada.
Aktualisht, Flanagan shërben si zëvendësguvernatore e Minesotës. Sipas sondazheve, ajo ka një epërsi të lehtë ndaj republikanes Michele Tafoya, ish-reportere sportive televizive dhe këshilltare e politikanëve konservatorë.
Guvernatorja e parë afrikano-amerikane?
Nga 14 guvernatoret aktuale, dhjetë janë demokrate dhe katër republikane. Gjashtë prej tyre po kandidojnë për një mandat tjetër, përfshirë Sarah Huckabee Sanders, guvernatoren e Arkansasit dhe ish-zëdhënësen e Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Në Minesota dhe Xhorxhia, gratë me ngjyrë mund të bëhen për herë të parë guvernatore në historinë amerikane. Në Minesota, guvernatori demokrat Tim Walz, ish-bashkëkandidat i Kamala Harris në zgjedhjet e vitit 2024, nuk po kërkon rizgjedhjen. Për postin e guvernatorit po garojnë demokratja Amy Klobuchar dhe republikanja Lisa DeMuth. Ndërsa në Xhorxhia kandidon demokratja afrikano-amerikane Keisha Lance Bottoms.
Dittmar nuk pret që Lisa DeMuth të fitojë në Minesota, pasi shteti konsiderohet një bastion demokrat. Amy Klobuchar përfaqëson Minesotën në Senat që nga viti 2007 dhe gëzon njohje të lartë mes votuesve.
Megjithatë, gara në Xhorxhia konsiderohet shumë e ngushtë. Sipas Dittmar, Bottoms “ka absolutisht një shans real” për të fituar. Mbështetësi i saj më i njohur është ish-presidenti Barack Obama, ndërsa kandidati republikan Rick Jackson mbështetet nga presidenti Donald Trump./DW
