Zbulimet e fundit nga gazetari amerikan Jeffrey Goldberg mbi komunikimin e pasigurt midis ekipit të politikës së jashtme të Donald Trump theksojnë një cenueshmëri të madhe në kuadrin e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Fakti që zyrtarë të lartë raportohet se kanë zhvilluar diskutime konfidenciale duke përdorur kanale personale në platforma digjitale të pambrojtura, është një paralajmërim jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për vende të tjera.
Ky problem shkon përtej pakujdesisë në komunikimet qeveritare. Luftërat e vazhdueshme mbi gjysmëpërçuesit (semiconductors) dhe debati kombëtar në SHBA dhe Europë mbi TikTok tregojnë se teknologjia nuk është më thjesht një mjet ekonomik apo social—ajo është transformuar në një fushëbetejë për të ardhmen e rendit botëror. Jo më kot, SHBA ka ndërmarrë masa agresive për të kufizuar qasjen e Kinës në çipat më të avancuar, duke pranuar se gjysmëpërçuesit janë themeli i inteligjencës artificiale, aplikimeve ushtarake dhe informatikës së avancuar.
Ndërkohë, shqetësimet mbi TikTok, një aplikacion i bazuar në Kinë që ka akses në sasi të mëdha të dhënash të përdoruesve, theksojnë rreziqet e infiltrimit digjital. Me mbi 1.6 miliard përdorues në mbarë botën, aplikacioni mbledh sasi të mëdha informacioni personal, që nga të dhënat e vendndodhjes deri te ndërveprimet dhe preferencat e përdoruesve. Mundësia që këto të dhëna të aksesohen nga qeveria kineze ka ngritur alarmin mes ekspertëve të sigurisë, të cilët paralajmërojnë se një qasje e tillë mund të mundësojë operacione të ndikimit të huaj.
Të dhënat janë nafta e re, dhe kundërshtarët e huaj e dinë që kontrollimi i flukseve të informacionit do të thotë ndikim mbi opinionin publik, tendencat ekonomike dhe madje strategjinë ushtarake. Algoritmi i sofistikuar i TikTok-ut është krijuar për të maksimizuar angazhimin, por dyshohet se ai gjithashtu ofron një kanal për të formësuar narrativat, për të censuruar disa këndvështrime dhe për të amplifikuar të tjera në mënyra që mund t’i shërbejnë interesave gjeopolitike të Kinës. Ndërsa qeveritë përpiqen të evitojnë këto rreziqe, ato duhet të peshojnë shqetësimet për sigurinë kombëtare kundrejt parimeve të lirisë digjitale dhe tregjeve të hapura.
Këto janë shqetësime serioze dhe meritojnë vëmendjen e plotë të zyrtarëve qeveritarë. Një përgjigje e matur dhe strategjike, në këtë drejtim, do të përfshinte kryerjen e vlerësimeve të hollësishme të sigurisë, angazhimin me ekspertë të fushës digjitale dhe formulimin e rregulloreve të qarta që balancojnë nevojat e sigurisë me të drejtat digjitale të qytetarëve. Megjithatë, në vend që t’i trajtojë këto çështje përmes një qasjeje të nuancuar teknike, debati mbi TikTok-un në Shqipëri është shndërruar në një spektakël të politizuar.
Qeveria shqiptare është mbështetur në argumente të dyshimta për të justifikuar ndalimin e TikTok-ut, duke pretenduar se aplikacioni nxit dhunën ndër të rinjtë, argumente që kritikët, me të drejtë i shohin si politikisht të motivuara. Në vend që ta kornizojnë diskutimin rreth shqetësimeve legjitime të sigurisë kombëtare, zyrtarët kanë adoptuar një qasje që duket se ngatërron qeverisjne e ndërgjegjshme të realitetit digjital me manovrimin politik. Kjo ka çuar në politika që janë reaktive në vend që të jenë proaktive, duke dështuar në trajtimin e implikimeve më të gjera të sigurisë digjitale dhe duke krijuar një mjedis mosbesimi midis qeverisë dhe publikut.
Europa gjithashtu është kthyer në një fushëbetejë kyçe në lidhjen mes teknologjisë dhe sigurisë kombëtare. Bashkimi Europian ka synuar të shtrëngojë rregulloret mbi platformat digjitale përmes nismave si Akti i Tregjeve Digjitale (DMA) dhe Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA), të cilat synojnë të kufizojnë fuqinë e kompanive të mëdha të teknologjisë duke adresuar njëkohësisht rreziqet kibernetike. Për më tepër, BE-ja ka ndërmarrë hapa për të reduktuar varësinë nga teknologjia kineze, siç është kufizimi i rolit të Huawei në infrastrukturën 5G. Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania kanë ndjekur të njëjtin shembull me kufizimet e tyre mbi firmat kineze të teknologjisë, duke njohur rreziqet e mundshme që vijnë nga infrastruktura dixhitale e kontrolluar nga të huajt.
Përtej sigurisë kombëtare, çështja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit vazhdon të sfidojë qeveritë dhe shoqëritë në mbarë botën. Si kundërpërgjigje, qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë kanë zbatuar masa të ndryshme kundër dezinformimit, duke përfshirë këtu iniciativat për verifikimin e fakteve, moderimi i përmbajtjes me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe kuadrot rregullatore si Akti i Shërbimeve Digjitale të BE-së. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, evolucioni i shpejtë i taktikave mashtruese digjitale—nga deepfake te propagandat e sponsorizuara nga shtete—vazhdon të tejkalojë zgjidhjet rregullatore, duke lënë shoqëritë të ekspozuara ndaj manipulimeve.
Siguria e një vendi varet nga aftësia e tij për të identifikuar dhe zvogëluar cenueshmëritë teknologjike. Qeveritë duhet të sigurojnë jo vetëm komunikimet e tyre, por edhe që politikat mbi teknologjitë e reja, përfshirë inteligjencën artificiale dhe platformat digjitale, të përputhen me imperativët e sigurisë kombëtare. Nëse bëhet fjalë për forcimin e masave të sigurisë kibernetike për zyrtarët, reduktimin e varësisë nga infrastruktura teknologjike e huaj ose krijimin e kuadrove rregullatore që balancojnë sigurinë kombëtare me liritë digjitale, vendet duhet ta trajtojnë teknologjinë si një aset strategjik, jo si një instrument politik.
Injorimi i këtyre shqetësimeve lë vendet të ekspozuara—jo vetëm ndaj sulmeve kibernetike, por edhe ndaj humbjes së sovranitetit në epokën digjitale, ku autonomia politike, kontrolli ekonomik dhe integriteti i informacionit po diktohen gjithnjë e më shumë nga varësitë teknologjike dhe ndikimi i huaj mbi infrastrukturën digjitale.
Konfliktet e ardhshme nuk do të luftohen vetëm me raketa dhe tanke, por me algoritme dhe çipa silikoni. Kombet që nuk e pranojne këtë realitet do ta gjejnë veten të cenueshëm në mënyra që ende nuk i kuptojnë plotësisht.
*Drejtues i Programit për Inteligjencën Artificiale dhe Qeverisjen Globale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel
(BalkanWeb)
