Pas sulmeve ajrore të fundit të SHBA-së kundër objekteve bërthamore të Iranit, kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë në mbështetje të veprimeve të Uashingtonit. “Si një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara” deklaroi ai, “Shqipëria qëndron fuqishëm pas përpjekjeve të sinqerta të Presidentit Trump për të parandaluar që regjimi teokratik në Teheran të zotërojë ndonjëherë armë bërthamore”.
Nuk ka asnjë dyshim se Republika Islamike e Iranit, me qeverisjen e saj represive teokratike dhe me historikun e destabilizimit rajonal, ngjall shqetësim të ligjshëm. Megjithatë, deklarata e Kryeministrit Rama, në vend që të sinjalizojë një përputhje të kujdesshme dhe të kalkuluar me partnerin më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë, shfaqet si një qëndrim i panevojshëm agresiv dhe i shkëputur nga realitetet komplekse të së drejtës ndërkombëtare dhe nga pozicioni real i Shqipërisë në sistemin ndërkombëtar.
E vërteta e parë: Për natyrën e regjimit iranian
Rama ka të drejtë kur thekson natyrën autoritare dhe regresive të regjimit iranian. Që nga viti 1979, elita sunduese e Iranit jo vetëm që ka shtypur popullin e vet, por ka eksportuar dhunë përmes forcave paraushtarake, duke destabilizuar fqinjët dhe duke e shndërruar vendin në një aktor të përçmuar dhe izoluar ndërkombëtarisht. Pak kush në bashkësinë ndërkombëtare, e akoma më pak në Iran, do të vajtonte fundin e këtij regjimi. Në këtë pikë, qartësia e Ramës është e justifikueshme.
Qëndrimi i Ramës pasqyron gjithashtu një konsensus më të gjerë midis demokracive liberale se ambiciet bërthamore të Iranit, të kombinuara me sjelljen e tij agresive rajonale, përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Testimet e raketave balistike nga regjimi dhe armiqësia e hapur ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit kanë alarmuar me të drejtë politikëbërësit në mbarë globin. Në këtë kuptim, ngritja e shqetësimeve për synimet e Iranit është jo vetëm e justifikuar—por edhe e domosdoshme. Megjithatë, njohja e natyrës së një kërcënimi është vetëm hapi i parë; për t’iu përgjigjur siç duhet, nevojiten maturi strategjike dhe qartësi ligjore—sidomos për shtete të vogla si Shqipëria.
E vërteta e dytë: Për ligjshmërinë e sulmeve të SHBA-së
Megjithatë, aty ku Rama dështoi, është në mbështetjen e një akti që qëndron mbi baza shumë të pasigurta ligjore. Sulmet ajrore të SHBA-së, megjithëse me synimin për të dëmtuar kapacitetet bërthamore të Iranit, ka të ngjarë të shkelin parimet thelbësore të Kartës së Kombeve të Bashkuara—veçanërisht nenin 2(4), i cili ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të një shteti, përveç rasteve të vetëmbrojtjes ose me autorizim të Këshillit të Sigurimit. Në këtë rast, nuk u identifikua asnjë kërcënim i menjëhershëm ndaj Shteteve të Bashkuara që të justifikonte një veprim ushtarak paraprak dhe parandalues. Si i tillë, operacioni konsiderohet gjerësisht nga juristët dhe profesionistët e së drejtës ndërkombëtare si, në rastin më të mirë, me legalitet të dyshimtë.
Kjo paqartësi ligjore nuk është një teknikalitet—ajo godet themelin e rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore. Parimi i sovranitetit shtetëror dhe ndalimi i përdorimit të forcës janë gurët e themelit të një sistemi të ndërtuar për të parandaluar ndërhyrjet e njëanshme destabilizuese që karakterizuan epokat e mëparshme të konfliktit global. Duke përshëndetur një akt që anashkalon këto norma ligjore, Kryeministri Rama minon vetë strukturat që ofrojnë mbrojtjen më të madhe për shtetet e vogla si Shqipëria. Mbështetja e një veprimi ushtarak pa një mandat të qartë ligjor dobëson arkitekturën normative që kufizon pushtetin dhe siguron një shkallë rendi në një sistem ndërkombëtar që përndryshe do të ishte anarkik.
Paralajmërimi: Për të folur me urti dhe strategji
Pse duhet të shqetësohet Shqipëria, një shtet i vogël në një rajon të trazuar, për këto nuanca? Sepse për shtetet e vogla, e drejta ndërkombëtare nuk është një luks—është një mjet shpëtimi. Fuqitë e mëdha shpesh operojnë përtej dhe mbi rregullave, duke ditur se kanë aftësi të mjaftueshme ushtarake, politike, dhe ekonomike për të përballuar pasojat. Shtetet e vogla, përkundrazi, mbijetojnë dhe lulëzojnë përmes koherencës, parashikueshmërisë dhe mbrojtjes që ofrohet nga normat ndërkombëtare dhe institucionet shumëpalëshe.
Askush nuk i kërkoi Shqipërisë të komentonte publikisht mbi veprimin e SHBA-së. Dhe askush nuk priste që të shprehej mbi legalitetin e sulmeve. Por, në zgjedhjen për ta bërë këtë—dhe për ta bërë pa nuancë—Kryeministri Rama e ka pozicionuar Shqipërinë si një mbështetëse e zëshme dhe entuziaste e një akti që shumë e konsiderojnë të dyshimtë nga pikëpamja ligjore.
Ky pozicionim nuk është vetëm i panevojshëm; është i paarsyeshëm. Duke e vendosur Shqipërinë në mënyrë të pakushtëzuar pranë një veprimi ushtarak të diskutueshëm, Rama rrezikon të ulë besueshmërinë dhe fleksibilitetin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ai gjithashtu minon interesin afatgjatë të Shqipërisë për të ruajtur dhe forcuar vetë sistemin ligjor ndërkombëtar që na mbron.
Politika e jashtme e Shqipërisë nuk duhet të udhëhiqet nga retorika e zbrazët apo nga iluzioni i një domosdoshmërie strategjike që nuk ekziston. Ajo duhet të bazohet në një vlerësim realist të kapaciteteve tona. Kapaciteti ynë ushtarak është i kufizuar; dy dronë Bayraktar nuk përbëjnë një mjet parandalimi strategjik. Dhe nuk mund të mbështetemi pafundësisht në vullnetin e mirë të aktorëve të jashtëm, politikat e të cilëve mund të ndryshojnë në varësi të intersave të tyre.
Nëse Shqipëria dëshiron të flasë dhe të veprojë me peshën e një shteti më me ndikim, ajo duhet gjithashtu të përgatitet të mbajë përgjegjësitë e një të tilli—përmes investimeve të qëndrueshme si në kapacitetet e brendshme, ashtu edhe në partneritetet e jashtme. Ky nuk është realiteti ynë sot. Dhe të pretendosh të kundërtën nuk është politikë—është teatër.
Në këto kohë të pasigurta, një rishikim i matur i doktrinës së politikës së jashtme, dhe të sigurisë së Shqipërisë është më se i nevojshëm. Ndërsa kërcënimet bëhen më komplekse dhe rendi global më i brishtë, udhëheqësit tanë duhet të flasin më pak për të impresionuar dhe më shumë për të mbrojtur. Kjo kërkon qartësi, jo servilizëm; besnikëri, jo nënshtrim; dhe mbi të gjitha, një politikë të jashtme të rrënjosur në vetëdije strategjike.
(BalkanWeb)