Ligji i Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë përcakton në kuadër të misionit të arsimit të lartë se institucionet e arsimit të lartë duhet të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe në forcimin e sigurisë publike dhe kombëtare[1].

Edhe pse në këtë ligj nuk gjendet e përcaktuar përgjegjësia sociale e këtyre institucioneve, sa më sipër mund ta përkufizojmë si përgjegjësia që ato kanë në bashkëpunim me të gjithë aktorët shoqëror për t’iu përgjigjur vlerave, nevojave dhe pritshmërive të shoqërisë sonë.

Universitetet luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e shoqërisë, janë motori lëvizës i saj sepse në fakt e gjithë veprimtaria e tyre ndikon në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës së individëve.

Formimi i profesionistëve të ardhshëm dhe kërkimi shkencor si dy shtyllat klasike të arsimit të lartë përfshijnë jo vetëm komunitetin akademik, por edhe strukturën sociale, ekonomike e prodhuese të shoqërisë në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Institucionet e arsimit të lartë në partneritet me aktorët e tjerë ekonomik, organizatat dhe institucionet shtetërore në vend, duhet të promovojnë dhe zhvillojnë aktivitetetin e tyre edhe në interes të komunitetit dhe mjedisit, duke marrë kështu një rol të virtytshëm kundrejt subjekteve të tjera publike dhe private.

Sot, eksperiencat më të mira të universiteteve perëndimore na ofrojnë modele se si nëpërmjet mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe transferimit të njohurive, universitetet mund të luajnë një rol vendimtar në zbatimin e parimit të drejtësisë shoqërore të parashikuar në nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Në Shqipëri, klinikat ligjore të hapura pranë fakulteteve të drejtësisë të shumë IAL-ve, ofrojnë një model dhe një praktikë shumë të mirë të përgjegjësisë sociale, pra, të kontributit konkret që këto institucione duhet të japin në zhvillimin e shoqërisë dhe të territorit, transferimit të njohurive, edukimit ligjor të publikut por mbi të gjitha, promovimit të drejtësisë sociale.

Sa më sipër, mund të jenë vetëm disa nga objektivat strategjikë që institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin në kuadër të realizimit të atij që quhet misioni i tretë në arsimin e lartë. Një rol, që merr edhe më tepër rëndësi nëse marrim parasysh kontekstin aktual në të cilin gjendet shoqëria jonë.

Kështu, në vendin tonë rëndësi merr shpërndarja, aksesi dhe përdorimi i barabartë i njohurive për tejkalimin e ndasive shoqërore por edhe për problematika me rëndësi jetike si mjedisi, pabarazia, gjithpërfshirja, varfëria etj. Dija, duhet të shërbejë si kusht për barazi më të madhe dhe edukimi si një burim për demokraci më funksionale.

Nëse deri më tani, impakti social i universiteteve është matur vetëm mbi produktin që institucionet e arsimit të lartë ishin në gjendje ti ofronin tregut të punës, ka ardhur koha që këto institucione në kuadër të akreditimit të tyre institucional, të vlerësohen edhe mbi standarde e kritere të mirëpërcaktuara për përgjegjësisë sociale dhe impaktin real të aktivitetit të tyre në shoqëri.

Përtej planifikimit e miratimit të një bilanci financiar shumë universitete evropiane po aplikojnë në kuadër të misionit të tyre, bilancin social si rezultat i planifikimit dhe realizimit të aktiviteteve me fokus angazhimin e tyre publik.

Kërkues shkencor në disa prej institucione të arsimit të lartë në Shqipëri kanë sfiduar realitetin e janë mobilizuar në këtë drejtim, disa spontanisht dhe disa nën energjinë pozitive të projekteve të Bashkimit Evropian për të sjell në vëmendje rëndësinë e misionit të tretë të universteteve.

Për arsimin e lartë shqiptar është një sfidë, sepse duhet ndërhyrë në kuadrin ligjor në fuqi, duhen hartuar aktet e domosdoshme për identifikimin e kritereve të vlerësimit dhe indikatorët e matshëm. Perceptimi i shoqërisë sonë, i të gjithë aktorëve shoqëror, kryesisht organeve shtetërore përgjegjëse për arsimin e lartë, ka nevojë të ndryshojë.

Institucionet nga ana e tyre duhet të ndryshojnë qasjen kundrejt shoqërisë, filozofinë e të qenit vetëm në funksion të përgatitjes së studentëve dhe kërkimit shkencor por të marrin përgjegjësi kundrejt shoqërisë. Të rrisin angazhimin e tyre publik nëpërmjet iniciativave me fokus trajnimet dhe kërkimin shkencor me të gjithë ata individë që nuk kanë marrëdhënie akademike apo pune të lidhura në mënyrë të drejtëpërdrejtë me arsimin e lartë. Të krijojnë ura lidhëse me arsimin parauniversitar, me shoqërinë civile, partner publik dhe privat për krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve të qëndrueshme të bashkëpunimit me dhe për shoqërinë.

*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”

[1] Neni 1, Ligj Nr. 80/2015 Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionete Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb