Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratën e ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim në lidhje me ngjarjen sot në Elbasan, ku iu bëri thirrje presidentit Ilir Meta dhe kreut të qeverisë apo dhe Lulzim Bashës për vetëpërmbajtje. Në një intervistë për “Real Story’ në ‘News24’ Rama tha se Basha nuk është treguar i mospërmbajtur, madje as ai vetë. Rama tha se i vetmi i papërmbajtur këtu është presidenti Ilir Meta.

“Në fakt tani nuk dua të zbus apo të lehtësojë pozitën e Lulëzim Bashës, por realisht në këtë aspekt përjashto atë halucinacion të atij Gazmend Bardhit që ka një përgjegjësi të madhe për fjalët që nxori dhe për gjestin makabër duke mbajt fjalime 2 metra nga xhenazja, por Lulzim Basha nuk është se ka treguar mospërmbajtje. Unë s’di të kem treguar mospërmbajtje. Ndërsa Ilir Meta është i mospërmbajturi i madh i kësaj historie. Lëviz në çdo vend dhe iu del shqiptarëve si gogol në tv. Pavarësisht përplasjes së palëve në gjithë aspektin retorik. Kjo është festë demokratike. Jo nuk është një mundësi për të vrarë njerëz.”, tha Rama.

Pyetje: Zoti president i Republikës doli nga Shkodra dhe ju paralajmëroi juve që; do ju pres gishtat nëse vidhni një votë. Njerëzit duan të dinë përgjegjësit, pavarësisht manteleve. A do mbahet përgjegjësi për këtë ngjarje?

Rama: Nuk diskutohet që do mbajnë përgjegjësi, por do të mbajnë përgjegjësi para ligjit, jo para meje. Ne mund të ngarkojmë me përgjegjësi morale, por jo me përgjegjësi penale. Këtë e bëjnë organet ligjzbatuese. Ajo pune gishtave të Ilir Metës më kujton një shprehje të Patozit dikur që tha; Kur ilir Meta flet kundër blerjes së votës, ta besosh është njësoj sikur ISIS të predikojë luftë kundër terrorizmit. Ky njeri që vjen vërdallë në Shqipëri dhe e bija i thotë; babi mos pi, eja në shtëpi. Dhe i dehur, i lemerisur nga fantazmat që se lënë të marrë frymë, është katastrofë ambulante.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: